75 Mall Live Search
21:33 / E Mërkurë, 11 Nëntor 2020 / OSH

Daut Haradinaj: Kjo Gjykatë është produkt i angazhimit të Serbisë

Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, në Prime Time të Kanal 10, ka folur për paraqitjen e Thaçit, Veselit, Jakupit dhe Selimit.

Ai ka thënë se ata e njohin të kaluarën e vet dhe se paraqitja e tyre janë reflektim i luftës së Kosovës.

Ai tutje foli në veçanti edhe për Rexhep Selimin, ku edhe tregoi se e ka vizituar një ditë para nisjes për në Hagë.

“Kam qenë të Rexha pa u nisur në Hagë dhe i kam thënë që kam kaluar shumëçka në jetë dhe se jam ndjer shumë keq. Më shumë gjëra na kanë bashku se që na kanë nda me Rexhen. Kam pas një ide ndryshe, por ajo që na ka bashku ka qenë diçka shumë ma e madhe. Kritikat e mia kanë qenë publike për të, nuk kanë qenë personale. Sa i përket luftës nuk kam pikë e presje që mundem me ja hjek”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj shtoi se Selimi do ta ketë përkrahjen e tij çdoherë. I pyetur se a e kishte menduar këtë Gjykatë para 23 viteve, ai the se gjëja e vetme që e kanë menduar ka qenë largimi i pushtuesit nga vendi.

“Para 23 viteve e kemi menduar se a kemi me mujt me e largu Serbinë nga këtu, kur kemi me largu e me ma pak pasoja. Mendoj se kjo Gjykatë është produkt i angazhimit të Serbisë. Këto akuza janë të njëjta. Kërkoni në internet. Si akuzat në Gjykatën në Hagë, si të UNMIK-ut, si të EULEX-it, janë njëjtë”, tregoi Haradinaj.