Kuçi njofton: Arrihet marrëveshja për zhbllokim të llogarive të Telekomit!

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuçi, me një postim të bërë në FB ka njoftuar janë zhbllokuar llogaritë e “Telekomit”.
Ky është njoftimi i tij i plotë:
Sot kemi arritur me sukses t’i zhbllokojmë llogaritë bankare të “Telekomit” të Kosovës dhe është nënshkruar një marrëveshje me operatorin ekonomik “Dardafone.net”.
Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disavjeçare dhe nuk do të ketë më bllokim llogarish nga përmbaruesit privatë.
Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive, do të përcillet edhe nga një Marrëveshje mirëkuptimi për subvencionim të kushtëzuar për investime në operacionet vitale midis Qeverisë së Kosovës dhe “Telekomit”.
Kjo marrëveshje që tashmë e kam nënshkruar unë dhe Bordi i “Telekomit”, do të bëjë zgjidhje të përhershme të kësaj ndërmarrjeje dhe jo një zgjidhje vetëm për disa muaj.
Me këtë marrëveshje mirëkuptimi, “Telekomi” ka marrë obligime për të investuar në teknologji, duke filluar nga implementimi i plotë i kodit shtetëror +383.
Gjithashtu, në zotimet e Bordit të “Telekomit”, kjo ndërmarrje do të punojë për të shkurtuar shpenzimet.
Duhet bërë e ditur se “Telekomi i Kosovës” do t’i kthejë këto mjete të subvencionimit në llogarinë e Qeverisë së Kosovës.