75 Mall Live Search
10:59 / E Martë, 17 Nëntor 2020 / Blerim

Paraburgim ndaj M.Z nga Prishtina, që rrahu nënën dhe motrën

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit  M.Z. për shkak se ai ka kryer veprën penale: Dhunë në familje nga neni 248 par.3 nënpar.3.2 ë KPRK-së.

Gjykata të pandehurit M.Z. ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, derisa t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik nga 13.11.2020 deri më 12.12.2020, pasi që ajo ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 pika1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 lidhur me nenin 509 par 1 nën par. 1.1, 1.2 dhe 1.3 të KPPK-së.

Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të lihet i pandehuri M.Z. në liri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarat ku mund t’ua rrezikojë jetën apo shëndetin e tyre dhe ekziston rreziku se mund të përsërisë ose të kryejë vepra të tjera penale.

I pandehuri M.Z. për shkak të mosmarrëveshjeve me të dëmtuarat – nënën dhe motrën e tij,  kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike në vazhdimësi  ndaj të tyre dhe si pasojë e këtyre veprimeve u kishte shkaktuar lëndime trupore, ndjenjën e frikës dhe ankthit dhe të pasigurisë për jetën.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.