Disa mësimdhënës infektohen me COVID, dy shkolla në Klinë kalojnë online

Komuna e Klinës njofton se duke pasur parasysh rritjen e numrit të të infektuarve me virusin COVID-19 dhe konfirmimin e disa mësimdhënësve me këtë virus, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, shkolla fillore e mesme e ulët “Motrat Qiriazi” në Klinë ka kaluar nga skenari A në skenarin C(mësim on-line) për dy javë.
Po ashtu, shkolla e mesme profesionale “Fehmi Agani” është duke punuar me skenarin A për klasat e 10-a dhe C për klasat e 11-a e 12-a.
Të gjitha shkollat e tjera janë duke punuar sipas skenarit A të MASHT-it, pra në objekte shkollore dhe janë duke respektuar në përpikëri udhëzimet e caktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, siç janë dezinfektimi i objekteve shkollore, mbajtja e maskave dhe dezinfektimi i duarve, mbajtja e higjienës dhe distancës, ulja e vetëm një nxënësi në bankë etj.
Megjithatë, dy javët e fundit është rënduar gjendja me rritjen e numrit të të konfirmuarve me COVID- 19. Aktualisht janë 24 mësimdhënës aktivë me COVID- 19 dhe 1 punëtor ndihmës, 23 mësimdhënës të vetizoluar si raste kontakti të familjarëve të tyre dhe 13 nxënës të izoluar si shkak i familjarëve të infektuar.
Duke e parë rritjen e numrit të të infektuarve, kryetari i komunës, Zenun Elezaj, u apelon të gjithë qytetarëve që të shtojnë kujdesin dhe t`i respektojnë udhëzimet e mjekëve dhe masat e vendosura nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të shtojmë kujdesin për shëndetin tonë dhe shoqërisë, por edhe të na bëhet më e lehtë vazhdimi i procesit mësimor në kushte normale dhe kthimi i normalitetit në vend.