Vuçiqi e pranon se shërbimet ruse e vëzhgojnë atë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë në një televizion në Beograd se shërbimet ruse të inteligjencës veprojnë në Beograd dhe la të nënkuptohet se ato e vëzhgojnë atë. Më pas ai tha se për gjithë marrëveshjen e kishte njoftuar edhe Vladimir Putinin.
Duke komentuar këtë, njohësi i çështjeve të sigurisë Agim Musliu, ka thënë se Vuçiqi frikësohet shumë nga rusët, veçmas nga shërbimet e tyre të inteligjencës.
“Vuçiqi duket qartë se frikësohet nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe mbrëmë në këtë intervistë nuk guxoi ta vazhdojë mendimin për ta. Ai vetëm e pranoi se shërbimet ruse të inteligjencës vazhdimisht e vëzhgojnë politikën e tij”, ka deklaruar Musliu për Kosovapressin.
Musliu e sheh këtë në aspekt më të gjerë. Ai e ndërlidhi me një periudhë më të gjatë kohore raportin Vuçiq – shërbimet sekrete ruse.
“Vuçiqi është frikacak. Para një viti i pyeti rusët me atë pse-në e madhe për rastin e quajtur “Kleban”, kur oficeri rus i inteligjencës po merrte informacion sekret nga një ish-zyrtar ushtarak serb. Dukej që ishte i hidhëruar në rusët. Kurse, deklarata e mbrëmshme tregon se ai ose është duke u frikësuar nga ta, ose është duke u punuar prapa shpinës”, tha Musliu.
Në fund të vitit të kaluar, Serbinë e tronditi rasti i spiunazhit “Kleban”. Edhe shërbimi serb i inteligjencës BIA kishte dalë publikisht dhe kishte pranuar se rusët kishin vepruar fshehtas në Beograd kur po përpiqeshin që merrnin informacion ushtarak në Serbi.
Agim Musliu thotë se, raportet e Serbisë dhe Rusisë tash për tash duket se nuk janë aq të brishta, por se evidenton faktin se aty ka një mosbesim reciprok.
“Nëse e shikoni këtë mozaik, atëherë e vëreni se edhe në protestat që ndodhën gjatë verës në beograd, pati një tension ruso-serb. Aty kishte edhe operativë rusë të inteligjencës dhe proksi rusë. Edhe në këtë rast, Vuçiqi pati reaguar. Por, vërtet ai është frikacak dhe kështu po e qet në lajthitje edhe Bashkimin Evropian, i cili vazhdimisht ka kërkuar nga ai që të pozicionohet ndaj Rusisë sipas politikave evropiane”, ka thënë Musliu.
Shërbimet ruse të inteligjencës kanë shtuar praninë në Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit. Në vitin 2016, dy oficerë rusë kishin provuar që përmes një organizimi në mes të serbëve ta vrasin presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq. Megjithatë, ndërkohë shumë vende të Ballkanit dëbuan punonjës të ambasadave ruse nga vendet e tyre, duke i dekonspiruar ata si spiunë rusë. Ky reaksion zinxhirë pati pasuar pas rastit Skripal në Londër.