Syla i AAK-së për masat anti-COVID: Nuk vetëdijësohen qytetarët me kamxhik e me dënime

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla ka thënë se institucionet e Kosovës brenda orësh kanë marrë vendime anti-COVID19, ndërsa qytetarët e Kosovës e respektuan këtë vendim.
Ai ka shtuar se nëse vazhdohet kështu koronavirusi do të lulëzojë.
Postimi i plotë
Kur institucionet e Kosovës brenda orësh morën vendime anti-COVID19, qytetarët e Kosovës sidoqoftë e respektuan këtë vendim. Kur vjen puna te ndëshkimet e qytetarëve, po shohim se po këto institucione i kanë nxitur policët, sidomos policët e rinj të ndëshkojnë pa fol dy herë.
Ndëshkimin ishte dashur me e parapri vërejtja. Nuk vetëdijesohen qytetarët me kamxhik e me dënime, por me masa të tjera ndryshe, njësoj si në vendet e BE-së. Duke e marrë parasysh papunësinë e varfërinë e skajshme në vend, urgjentisht duhet të ndryshohen këto masa.
Nëse vazhdon kështu, Ministria e Shëndetësisë e ajo e Brendshme, do të shndërrohen në “Ministrinë e Plaçkës”, koronavirusi do të lulëzojë, ndërsa qytetarë do të varfërohen edhe më shumë.