Shkatërrohet grupi i drogës italo-shqiptar, arrestohen 15 persona

Autoritetet policore italiane të Antimafias, Guardia di Finanza kanë bërë të mundur kryerje e një operacioni të koduar ” Blue Bos”, në të cilin është shkatërruar një grup italo-shqiptarë që trafikonin drogë mes vendeve të Ballkanit përfshirë dhe Shqipërin, Spanjën dhe Italinë.
Ndërkohë bëhet e ditur se në hetim janë vënë 28 persona, ndaj 15 prej tyre është lëshuar urdhri i arrestimit, 6 prej të cilëve janë shtetas shqiptarë, njëri prej të arrestuarve ka inicialet C.L 59 vjeç e thirrej me nofkën “Luli”.
Mësohet se anëtarët e këtij grupi trafikantësh akuzohen për prodhim e trafik ndërkombëtar droge të tipit marijuanë, hashash e kokainë dhe pjesëmarrje në organizim kriminal, falsifikim dokumentesh identifikimi dhe falsifikim parash.
Operacioni ka çuar në sekuestrimin e të mirave materiale e raporte financiare me vlerë 3.5 milionë euro mes të cilave 14 automjete, një mjet lundrues dhe 1 motor.
Gjithashtu, në hetimet e kryera është zbuluar se anëtarët e këtij grupi ishin aktiv si në Itali ashtu dhe në jashtë kufirit italian. Mënyra e tyre e komunikimit për trafikun e drogës ishte me kontakte të drejtëpërdrejta me furnizuesit, klientët apo persona të tretë duke evituar përdorimin e telefonave. Në rastet e rralla kur ata përdornin telefonin, gjuha për të komunikuar ka qenë e kriptuar, pra me një kod të veçantë.
Ndërsa, për trafikun e lëndës narkotike përdoreshin automjete të modifikuara e mjete lundruese. Për magazinimin e saj përdornin një garazh në komunën Bisceglie si dhe një shtëpi që e kishin blerë me fondin e përbashkët të parave të fituara nga biznesi i drogës e për të cilën ndanin bashkë shpenzimet e ishte në dispozicion të gjithë anëtarëve të këtij grupi trafikantësh.