75 Mall Live Search
12:23 / E Hënë, 23 Nëntor 2020 / OSH

Intervistë ekskluzive me ambasadorin gjerman në Kosovë: Gjermania, donatori më i madh bilateral i Kosovës

Gjermania vazhdon të jetë aleat i Kosovës në shumë fusha. Për këtë, Indeksonline ka zhvilluar intervistë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.

Si e vlerëson ambasadori Rohde situatën politike e pandemike në Kosovë, cilat janë hapat e të ardhmes që duhet t’i marrë shteti i Kosovës, cili është vlerësimi i tij për zgjedhjet në dy komuna të dielën e ardhshme, cili është roli i Gjermanisë në të ardhmen e Kosovës, për këto dhe shumë pyetje të tjera, ambasadori është përgjigjur ekskluzivisht për Indeksonline.

Indeksonline: Pandemia COVID-19.  Çfarë mbështetje i ka ofruar Gjermania Kosovës? Si e vlerësoni angazhimin e institucioneve kosovare në luftën ndaj pandemisë?

Ambasadori Rohde: Gjermania është donatori më i madh bilateral i Kosovës. Gjermania po e ndihmon Kosovën me aq sa mundet edhe gjatë pandemisë COVID-19. Brenda BE-së ne e mbështesim Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor me një pako të asistencës në vlerë prej rreth 3,3 miliardë Euro në mënyrë që të ndihmojmë në zbutjen e pasojave shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Përveç kësaj, Gjermania e ka mbështetur sistemin shëndetësor kosovar me donacione të shumëta, p.sh. në formë të dhurimit të respiratorëve, seteve të testimit dhe pajisjeve mbrojtëse.

Në këtë kuadër ne e kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet përgjegjëse të Kosovës. Kështu unë jam në kontakt të rregullt me Ministrin e Shëndetësisë Zemaj dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Në mes këtyre dhe Institutit gjerman Robert Koch (RKI) ekziston tashmë një bashkëpunim afatgjatë. Një mision i përbashkët i ekspertëve të OBSH-së dhe RKI-së ka qëndruar për një vizitë në Kosovë në shtator të këtij viti për ta ndihmuar drejtëpërdrejtë sistemin kosovar të shëndetësisë në luftimin e pandemisë. Ky njëherësh ishte edhe misioni më i madh i ekspertëve, të cilin RKI e ka dërguar jashtë vendit.

Siq mund të shihet edhe në shifrat e infektimeve që janë në rritje e sipër në të gjithë Evropën, ne akoma nuk kemi ardhur në fund të pandemisë. Prandaj është edhe më e rëndësishme që të ndërmerren masa të përshtatshme dhe të zbatohen rregullat e higjienës nga të gjithë, ashtu që të gjthë ne të mund të sillemi në mënyrë solidare për t’i mbrojtur grupet më të ndjeshme që popullsisë dhe për të parandaluar mbingarkimin e sistemit shëndetësor. Prandaj unë vetëm  mund t’iu bëj thirrje të gjithëve për t’i respektuar rregullat e reja – të cilat vlejnë edhe në vendim tim, në Gjermani -, për të qëndruar në shtëpi kur është e mundur, për të mbajtur distancën dhe për të vendosur maskat, si dhe për të kërkuar nga qeveria që këto masa të zbatohen!

Indeksonline : Politikanë të lartë të Kosovës janë arrestuar. Si do të duhej të silleshin institucionet kosovare marrë parasysh këto zhvillime?

Ambasadori Rohde: Unë i referohem deklaratës së fundit të Zyrës së BE-së dhe shteteve anëtare të saj të datës 6 nëntor. Edhe një herë: Themelimi i Dhomave të Specializuara është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 me dy të tretat e votave (82 vota!). Dhomat e Specializuara janë pjesë integrale e sistemit kosovar të drejtësisë dhe do të mbeten deri sa të përmbushet mandati i tyre, gjë për të cilën Kosova është zotuar. Kjo është me rëndësi edhe marrë parasysh forcimin e perspektivës evropiane të Kosovës.

Indeksonline: A i keni parë ose dëgjuar deklaratat e udhëheqësve të luftës, politikaneve në Gjykatën Speciale, dhe nëse i keni parë, cili është mendimi i juaj për ato deklarata?

Ambasadori Rohde: Unë nuk do të shprehesha kurrë për procese gjyqësore që janë duke u zhvilluar. Unë kam jam shprehur rreth institucionit të Dhomave të Specializuara, që janë një institucion kosovar. Ajo që ne të gjithë e kemi përshëndetur, ka qenë deklarata e BE-së që të gjithë të akuzuarit kanë bashkëpunuar dhe tani është çështje e institucioneve përgjegjëse, e gjykatës pra, që të zhvillojë procesin më tutje.

Indeksonline : Sie e shihni procesin negociator Kosovë-Serbi? Serbia insiston që çështja e „Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe“ të diskutohet brenda dialogut, gjë të cilën Prishtina e refuzon. Cili është qëndrimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë lidhur me këtë çështje?

Ambasadori Rohde: Ne e përshëndesim rifillimin e dialogut. I Dërguari i Posaçëm i BE-së, Lajcak e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Me rëndësi është që të sillen në tavolinë të gjitha çështjet e hapura dhe që të dyja palët të jenë të gatshme për kompromis, i cili e hap rrugën për një normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe me këtë edhe rrugën për në BE. Normalizim nënkupton sigurisht edhe njohje reciproke, sepse është e paparamendueshme që BE të pranojë shtete të reja anëtare, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën. Sigurisht që këtu bën pjesë edhe çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtu unë jua kujtoj se Kosova vetë në vitet 2013 dhe 2015 ka marrë obligime përsipër, të cilat duhen zbatuar mbi bazën e legjislacionit kosovar.

Indeksonline: Më 29 nëntor do të mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut. Cili është mesazhi i juaj për votuesit në këto komuna?

Ambasadori Rohde: Në secilin shtet demokratik ligjor zgjedhjet paraqesin, si të themi „Festën e demokracisë“. Në to do të duhej të merrnin pjesë sa më shumë votues. Ka mjaft shtete, edhe në Evropë, p.sh. në Belorusi, ku votuesve i merret e drejta e zgjedhjes së lirë. Marrë parasysh këtë, unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote: dilni dhe votoni! Secila votë vlenë. Prandaj edhe shpresoj që të ketë një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje. 

Indeksonline: cili është roli i Gjermanisë dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor në të ardhmen? Sa do të qëndrojë Bundeswehri në Kosovë? Sa ushtarë keni këtu dhe sa nëpunës gjermanë punojnë në kuadër të EULEX-it?

Ambasadori Rohde: Bashkë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj ne i mbështesim shtetet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së. Dua ta përmend këtu vetëm planin e fundit të investimit të prezantuar nga Komisioni i BE-së në vlerë prej 9 miliardë Euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, 8 miliardë prej të cilave janë dhuruar në formë të subvencioneve, si dhe shumë projekte të shquara. Gjermania është dhe mbetet këtu veçanërisht e angazhuar. Shembulli më i fundit që e dëshmon këtë është Samiti i Sofias në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili e mbështet integrimin ekonomik dhe social të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Veçanërisht të ngushta janë marrëdhëniet tona me Kosovën, ku ne prej vitesh në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it e përkrahim stabilitetin, sigurinë dhe ndërtimin e strukturave të shtetit ligjor.

Indeksonline : Më 4 shtator ka pasur Kosova marrëveshje me Serbinë. Tani do ta kemi një president te ri, Joe Biden. Cila është përshtypja e juaj? A mund të dështojë kjo marrëveshje dhe a mund të ketë një bashkëpunim më të afërt Washington-Berlin që do të shtyente proceset Kosovë Serbi përpara?

Ambasadori Rohde: Pikësëpari këtë pyetje duhet parashtruar natyrisht pjesëmarrësve përgjegjës. Së dyti: edhe unë ia kam parashtruar të njejtën pyetje një politikani kosovar. Përgjigja e tij ishte, të shohim se çfarë planesh ka Biden-i.

Indeksonline: Para disa javësh Ju e keni takuar Ministrin e Shëndetësisë, Zemaj. Aty Ju thatë që Zemajn e shihmi më shumë se sa familjen tuaj. Si e vlerësoni angazhimin e Ministrit Zemaj në luftën ndaj pandemisë?

Ambasadori Rohde: E dini, edhe tek ne prioriteti i ministrit të shëndetësisë është mbrojtja e shëndetit të popullatës. Ministrat e tjerë kanë të tjera prioritete dhe në të gjitha shtetet duhet gjetur një balancë në mes të kërkesave të shëndetit dhe mosngufatjes së ekonomisë. Prandaj besoj se edhe ministri i shëndetësisë këtu gjendet në të njejtën situatë në mes këtyre dy çështjeve. Mendoj se për shkak të incidencës së lartë dhe ngarkesës së spitaleve ka kuptim që, sikurse në shumë vende evropiane të ndiqet rreptësisht zbatimi i kufizimit të kontakteve, përndryshe kjo valë nuk do të mund të vëhet nën kontroll. Dhe për këtë Ministri i Shëndetësisë Zemaj i është drejtuar opinionit disa herë me apele.

Më lejoni të shtoj edhe diçka: Fusha e vetme për të cilën nevojitet të shfaqet më shumë ambicie, mendoj, është përmirësimi i kualitetit të ajrit. Mua më është thënë, kur kam ardhur këtu, që është e ndaluar ngrohja me thëngjill, por fatkeqsisht askush s’e respekton këtë ndalesë. Rregullat ekzitojnë për t’i respektuar. Dhe kjo, mendoj është gjithashtu një çështje e shëndetit, sepse për një prognozë të mirë shëndetësore pikërisht ankesat e frymëmarrjes në këtë situatë të pandemisë janë të mëdha. Prandaj besoj se nevojiten më shumë ambicie.

Indeksonline : Ramush Haradinaj është deri tani i vetmi kandidat i nominuar për president. Cili është opinioni i juaj për këtë?

Ambasadori Rohde: Unë asnjëherë nuk do të shprehesha në një mënyrë, apo një tjetër rreth një kandidati të caktuar. Kjo nuk është detyrë e imja. Unë shoh që qarkullojnë shumë emra dhe emri i ish-kryeministrit është njëri nga ta. Është detyrë e përgjegjësve politikë dhe e kuvendit për të vendosur këtë, ashtu siq kërkohet në një demokraci. Mbase edhe një shtesë: kur flas për përgjegjësinë e akterëve politikë, atëherë këtu sigurisht bën pjesë edhe që ky proces më mirë të zgjasë më pak, se sa shumë, në mënyrë që të jetë i mundur përqendrimi në çështjet që vërtetë janë të rëndësishme, konkretisht luftimi me sukses i pandemisë. Kjo, sepse mendoj që qytetarët e Kosovës presin nga ushëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre politikë, që kjo përgjegjësi që ata kanë të përceptohet dhe që të mos luhen lojëra politike, të cilat e tërheqin vëmendjen nga çështjet që janë shumë më të rëndësishme, siq është luftimi i pandemisë.

Indeksonline: Ka pak muaj që keni ardhur më mision diplomatik në Kosovë. Çka ju ka lënë përshtypje më shumë në këta muaj të parë në Kosovë tek njerezit apo tek jetesa këtu?

Ambasadori Rohde: Unë gëzohem që si futbollist, jam në një shtet, ku të gjithë e ndajnë pasionin për të luajtur futboll. Pra unë tashmë këtu kam filluar të luaj futboll me kolegët dhe rishtazi isha për të parë edhe një lojë të kategorisë U21 në mes ekipeve kombëtare. Të hënën do të dhuroj një donacion për Federatën e Futbollit të Kosovës. Përndryshe e kam parë edhe vendin pak sa, kam qenë në Gjakovë, Prizren, Pejë, kam bërë disa shtetitje dhe shpresoj që dimrit do të kem rastin edhe të skijoj.

Indeksonline: Cila është porosia juaj për politikanët kosovarë dhe për popullin e Kosovës?

Gjermania do t’i qëndrojë përkrah Kosovës në rrugën e saj drejtë BE-së, jo vetëm me fjalë, por prej vitesh tashmë edhe me vepra: siq kemi vepruar p.sh. gjatë pandemisë, që e përmenda edhe më herët, shpesh herë bashkë me partnerët tanë evropianë, duke ofruar mbështetje konkrete për forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Apo siq e mbështet substancialisht Gjermania Kosovën në modernizimin e rrejtit të energjisë dhe sistemit të ujërave të zeza prej vitesh. Edhe avancimin e futbollit – që është lloji më i popullarizuar i sportit në të dy vendet tona – e kemi përzemër. Kështu ne që nga viti 2016 e mbështesim sportin kosovar edhe konkretisht nëpërmjet drejtorit teknik të dërguar nga Gjermania në Federatën e Futbollit të Kosovës për të ndihmuar në ndërtimin e strukturave profesionale sportive.

Marrëdhëniet tona më të ngushta janë ato në nivelin njerëzor. Pothuajse 500.000 qytetarë të Kosovës që jetojnë në Gjermani, apo gjermanë me origjinë kosovare e vëretojnë këtë më së miri. Unë shpresoj që mund të kontribuoj këtu, gjegjësisht që së shpejti takimet mes njerëzve të të dyja vendeve të thjeshtëzohen edhe më, duke e bërë realitet liberalizimin e vizave në një të ardhme të afërt, siq është rasti tashmë në të gjitha vendet fqinje./Indeksonline/