10:39 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / Blerim

Kuçi: Lajm i mirë për Kosovën, anëtarësohemi në rrjetin europian GÉANT

Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, përmes një postimi të bërë në FB, ka njoftuar se Kosova është anëtarësuar në rrjetin europian GÉANT, një nga rrjetet më të mëdha dhe më të avansuara hulumtuese dhe arsimore në botë që lidh më shumë se 50 milionë përdorues në 10,000 institucione në Evropë dhe që përkrahë të gjitha disiplinat shkencore.

Ky është njoftimi i tij:

Lajm i mirë për Kosovën, anëtarësohemi në rrjetin europian GÉANT

Sot gjatë qëndrimit në izolim mora një lajm të mirë, që Rrjeti Kombëtar i Kosovës për Hulumtim dhe Edukim sapo është pranuar në Rrjetin Evropian GÉANT, një nga rrjetet më të mëdha dhe më të avansuara hulumtuese dhe arsimore në botë që lidh më shumë se 50 milionë përdorues në 10,000 institucione në Evropë dhe që përkrahë të gjitha disiplinat shkencore.

Procedurat e nisura kohë më parë dhe pasi një muaj më parë nënshkrova me 20 institucione publike dhe private të arsimit të lartë marrëveshje mirëkuptimi për Rrjetin për Hulumtim dhe Edukim të Kosovës dhe tash anëtarësimi është një përmbyllje e suksesshme brenda e këtij procesi.

Ky anëtarësim do të ndikojë edhe në avancimin e qasjes së studentëve tanë në tema shkencore dhe bashkërëndim me botën perëndimore.

Ngritja dhe zhvillimi i Rrjetit Kombëtar të Kosovës për Hulumtim dhe Edukim dhe ndërlidhja e tij me GÉANT janë pjesë e Projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës, të financuar nga Banka Botërore dhe të zbatuar nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës.