Kampion në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut – Ku është Izair Emini tani?

Futbollisti nga Tetova, Izair Emini, është pa dyshim ndër futbollistët më të suksesshëm shqiptarë.
Ai ka arritur të fitonte titullin e kampionit me Kukësin në Shqipëri, dy herë me Shkëndijen në Maqedoninë e Veriut dhe me Dritën në Kosovë.
Që nga përfundimi i sezonit të kaluar, 35-vjeçari është futbollist i lirë dhe pa kontratë. Ai u largua nga Drita pak para se të fillonte sezoni i ri.

Por, ku gjendet tashti Izair Emini? Në një prononcim për Indeksonlinen ai ka treguar se çka është duke bërë tani dhe pse u largua nga Drita?
“Për momentin nuk kam oferta. Ndonjë ofertë konkrete nga Kosova shpresoj ta kem ndonjë pasi që mendoj se mund të luaj akoma futboll, sepse ndihem mirë”, u shpreh ai fillimisht.

Ndërkaq, ai tregoj se pse u largua nga kampioni i Kosovës, KF Drita.
“Nga Drita u largova sepse kishim pakënaqësi nga te dyja palët dhe nuk mund të vazhdonim ashtu. Gjithsesi Dritës i uroj shumë suksese se me të vërtetë është një klub i madh në të gjitha drejtimet”, tha Emini.
Në fund, Emini foli për formën e tij momentale dhe se a është duke u stërvitur.

“Për momentin po mundohem të ushtroj nga pak dhe po luaj futboll të vogël me shokët sa mos me dalë komplet jashtë formës sime”, u shpreh kampioni i Kosovës.
Përveç titujve në ligë, Emini kishte fituar edhe 1 Kupë në Shqipëri me Kukësin, 1 Kupë në Maqedoni të Veriut me Shkëndijen, 1 Superkupë me Kukësin dhe 1 Superkupë me Shkëndijen./Indeksonline/