Ekskluzive/ Challandes zbulon se kur mund të vijë Mërgim Berisha te Kosova

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes dhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës janë në negociata me disa futbollistë shqiptarë në Evropë.
Njëri ndër ta është edhe sulmuesi Mërgim Berisha.
22 vjeçari sivjet ka pasur paraqitje të jashtëzakonshme duke shënuar 4 gola në Ligën e Kampioënve dhe 5 në Bundesligën e Austrisë me Salzburgun.
Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline, Challandes deklaroi se vazhdimisht janë në kontakt me Berishën, agjentin e tij dhe familjen.
“Shpresoj që do të vijë Mërgimi. Tani ai është duke luajtur me Gjermaninë U21 dhe do të luaj Evropianin me ta dhe pastaj duhet të shohim. Ne jemi në kontakt me të, edhe pse ai nuk preferon të flas shumë. Agjenti i tij është në njohuri me situatën dhe tani duhet të presim. Mërgimi është kandidat për ekipin tonë kombëtar. Ka lojtarë shumë të mirë shqiptarë që po kanë mundësi të zgjedhin mes 2-3 kombëtareve. Për të gjithë ata ne duhet të flasim me futbollistin, familjën e tij me agjentin dhe të provojmë ta bindim që të luaj për ne” deklaroi Challandes.
69-vjeçari zviceran mendon se zgjedhja e Kosovës para Gjermanisë do të ishte vendim i duhur për Berishën për disa arsye.
“Një futbollist që zgjedh Kosovën ai duhet të jetë i lumtur për këtë zgjedhje. Nëse ke mundësi të zgjedhësh, në mes të Zvicrës, Austrisë, Gjermanisë dhe Kosovës lojtari gjithmonë shikon se ku i bie më mirë. Në rastin konktret, nëse shkon te Gjermania e di që ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe vështirë që ftohet rregullisht, ndërsa te Kosova mund të jetë më lehtë. Ne i përcjellim të gjithë lojtarët dhe tregojmë interes për tu afruar te ta” përfundoi Challandes.
Përveç Berishës, stafi i Kombëtares së Kosovës shpreson të bind edhe disa futbollistë tjerë që të përfaqësojnë vendin e tyre: Bastien Toma, Andi Zeqirin, Toni Domgjoni, Kemal Ademi etj.