Zemaj pritet nga Oda e Mjekëve të Austrisë, flasin për sfidat dhe bashkëpunimin në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi të bërë në FB, ka bërë të ditur se sot është pritur nga Oda e Mjekëve e Austrisë, prirë nga presideni, prof. dr. Thomas Szekeres, dhe HR Doz. (FH) Dr. Lukas Stärker.
Ai ka thënë se në takim kanë diskutuar për sfidat aktuale të shëndetësisë, bashkëpunimin e mirëseardhur ndërmjet profesionistëve tanë shëndetësorë me ata austriakë, për të këmbyer përvojën, ekspertizën dhe aftësimin e kuadrit me vizita studimore dhe profesionale.
“Theksova veprimet tona rreth angazhimit të specialistëve të papunë, 1.500 specializantët e rinj si dhe planifikimet e kuadrit mjekësor konform strategjisë. Theksova se për herë të parë do të miratojmë edhe programin e subspecializimeve për fushat deficitare.
Përfaqësuesit e Odës së Mjekëve Austriakë cekën se kuadri mjekësor në Austri është shumë i vlerësuar dhe i kërkuar, andaj me dashamirësi na ofruan specializime dhe subspecializime për fushat që mungojnë në institucionet tona”, shkruan Zemaj.
Ai ka thënë se ka ftuar Odën e Mjekëve të Austrisë të vijnë në Kosovë për vizitë dhe thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm me Odën e Mjekëve të Kosovës por edhe me Fakultetin e Mjekësisë dhe SHSKUK-në, për harmonizimin e mëtejmë të nevojave tona në fushën e specializimeve.
“Oda e Mjekëve e Austrisë, ka në gjirin e vet 47.224 mjekë, mesatarja 5.3 mjekë për 1.000 banorë. Mesatare që ne aktualisht vetëm mund ta paramendojmë”, përfundon ministri i MSH-së./Indeksonline