75 Mall Live Search
21:08 / E Mërkurë, 09 Dhjetor 2020 / Blerim

Policia e Shtetit: 9 polic të lënduar, tre në gjendje të rëndë, dhuna do të përballet me përgjigjen ligjore të Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit te Shqipërisë ka dalë me një deklaratë ku ka thënë se tubimi i nisur pasditen e sotme para godinës së Ministrisë së Brendshme u përshkallëzua në veprime të dhunshme, duke thyer xhamat e Ministrisë së Brendshme dhe duke plagosur disa punonjës policie që ishin në shërbim, në ruajtje të institucionit.

“Më pas, turma u drejtua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përqendruar përpara Kryeministrisë. Ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera, duke plagosur 9 punonjës policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin Skënderbej”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se si pasoje e protestave 3 punonjës policie janë në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup, të shkaktuara nga sulmi me sende të forta nga protestuesit, ndërsa 6 punonjës policie janë në gjendje më të stabilizuar. Edhe disa mjete policore u dëmtuan me sende të forta.

Policia e Shtetit bëri të gjitha përpjekjet për menaxhimin me shumë përmbajtje të dhunës së papritur dhe të padrejtë ndaj punonjësve të saj dhe ndaj institucioneve.

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë protestuesit që të mos ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve, pasi cilido do të përballet me pasojat ligjore:, thuhet në njoftim të policisë.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje organizatorëve, të cilët kanë bërë thirrje sot në rrjetet sociale për t’u grumbulluar në protestë, të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar thirrjet për dhunë, pasi dhuna do të përballet me përgjigjen ligjore të Policisë së Shtetit.

“Episodi i papranueshëm i vrasjes së një qytetari nga një punonjës policie, i cili po hetohet në gjendje arresti, nuk mund të përdoret si pretekst për të ushtruar dhunë të verbër, për të plagosur rëndë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruar pronën publike dhe private”, mbyllë njoftimin Policia e Shtetit e Shqipërisë.