Selimi: Janë shtuar masat e pezullimit për keqpërdorim të punës nga zyrtarët ligjorë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se ministria që ai drejton i ka kushtuar kujdes të veçantë sfidave mbi korrupsionin. Ai tha se janë shtuar masat për pezullimin e keqpërdorimit te punës të zyrtarëve ligjorë.
Këto komete ai i bëri gjatë raportimit në Komisionin për legjislacion, mandate, imunitete, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku po diskutohet së bashku edhe me përfaqësues të tjerë nga sistemi i drejtësisë, lidhur me adresimin e rekomandimeve të dala nga raporti i vendit për vitin 2020
“Ministria e Drejtësisë është duke mbajtur vazhdimisht takime dhe vlen të ceket se janë shtuar masat për pezullimin e keqpërdorimit te punës të zyrtarëve ligjorë”, u shpreh Selimi
Ndërkaq ai theksoi që procesi mbi sundimin e ligjit është në përfundim.
“Procesi mbi sundimin e ligjit është në proces të përfundimit, jemi në konsultime shtesë bashkë me sistemin gjyqësor të Kosovës dhe besojmë se shumë shpejt rezultati do shihet”, tha ministri Selimi
Ai po ashtu përmendi edhe Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj që kanë për qëllim rregullimin e të drejtës pronësore për të huajt, duke përcaktuar me ligj, mbrojtjen dhe strehimin e tyre.
Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, tha se kjo agjenci ka bërë një punë të mirë.
“Kemi pasur raste, por është bërë një punë e mirë, duke pasur parasysh rastet e viteve paraprakë ka pasur një perfomancë të mirë”, tha Havolli.
Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se në bazë të rekomandimeve të dala, ky institucion ka bërë disa reforma.
Ajo tha se në këto rekomandime janë përfshirë disa çështje: përfaqësimi i grave në politikat zbatuese, mangësitë e votimeve jashtë Kosovës, si edhe parregullsitë e tjera gjatë zgjedhjeve.
Daka e cilësoi këtë reformë zgjedhore produktive, gjithmonë bazuar në rekomandime
“Reforma zgjedhore është një mundësi e mirë dhe jemi duke u munduar që të bëjmë reforma shtesë në bazë të këtyre rekomandimeve të sipërcekura”, tha Daka.