Çifti shqiptar u gjet i copëtuar në 3 valixhe/ Mungojnë disa gjymtyrë, policia italiane nis hetimet

Mund të jetë çifti shqiptar Shpëtim e Teuta Pasho, trupat e dy viktimave të gjetura pak orë më parë, të copëtuara e të futura në 3 valixhe, të hedhura në territorin e Komunës së Sollicianos në provincën e Firencës.
Çifti shqiptar, prindër të tre fëmijëve, figuron i humbur në Itali, që prej datës 2 nëntor 2015, pas denoncimit të bërë nga vajza e tyre Dorina Pasho e cila jeton me familjen në Komunën e Castefiorentinos në provincën e Firencës.
Shpëtim e Teuta Pasho pas disa vjetësh emigrim në Itali, më 2010 janë kthyer për të jetuar në Vlorë e vinin çdo tre muaj në Itali. Që prej 1 tetorit të 2015, ata ndodheshin në Firencëe ku banonin përkohësisht në një shtëpi me qira.

Valixhet me trupat e viktimave u gjetën përgjatë autostradës Firencë-Pizza dhe mjaft pranë murit rrethues të burgut të Solliccianos ku ka kryer dënimin për trafik droge djali i çiftit Pasho.
Hetimet e para të autoriteteve italiane pas kryerjes së autopsisë kanë vërtetuar se vdekja e tyre ka qenë makabre e është kryer në një ambient të mbyllur, ndoshta në një banesë. Gruaja është dhunuar fizikisht e në këmbë ka ende çorape me viza.

Trupi i saj nuk është i plotë e me ndihmën e qenve të stëvitur për nuhatje po kërkohet një valixhe e katërt me pjesët e tjera të viktimës. Burri është ekzekutuar me një goditje me thikë në fyt ku ka një plagë të thellë që i ka shkaktuar vdekjen. Në njërin krah është gjetur një tatuazh në formën e një spirance me emrin e një qyteti shqiptar që me shumë gjasa mund të jetë Vlora.
Pjesë e copëtuara të trupit janë gjetur të mbështjella me celofan e ngjitës.
Autoritetet italiane janë në pritje të rezultateve të analizave të ADN-së për të zyrtarizuar nëse viktimat janë Shpëtim e Teuta Pasho.
Vajza e tyre Dorina nuk pranon të flasë me mediat deri në pritje të rezultatit të ADN-së.
Hetimet paraprake të autoriteteve policore dyshojnë se valixhet janë hedhur nga një automjet në lëvizje dhe me shumë mundësi një furgon e pikërisht në pjesën e rrugës që kalon pranë burgut të Solleccianos. Mediat italiane hedhin dyshimin se ndoshta ky veprim makabër mund të jetë i lidhur me një larje hesapesh me të birin e tyre që ndodhej në këtë burg me akuzën e trafikut të drogës.
Shpëtim Hamit Pasho ka lindur më 26.01.1960 në Vlorë e në fillim të viteve ’90-të pati emigrauar në Itali ku ka qëndruar deri më 2010.
Bashkëshortja e tij Teuta Xhafer Pasho ka lindur më 27.04.1962 në Gjirokastër. Ata kanë dy vjaza e një djalë.
Më 2015, vajza e tyre Dorina Pasho do të deklaronte se prindërit i kishte dëgjuar në telefon për herë të fundit më 1 nëntor 2015.
“Ata ishin të qetë, kishin bërë një shëtitje në treg e po ktheheshin në banesën që kishin marrë me qera në Firencë“, ka thënë ajo.
Pronarja e shtëpisë ka deklaruar se në banesë nuk është gjetur asgjë, as rroba, as para e as dokumente. Para largimit çifti kishte marrë gjithçka.