Vjosa Osmani nis vizitën zyrtare në Shqipëri, ndalesën e parë e ka në një vend special

Ashtu siç u njoftua dje, u.d. e presidentes së Republikës së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, nga sot 16 deri më 18 dhjetor do të qëndrojë në Shqipëri, për vizitën e parë zyrtare që nga marrja e detyrës.
Në orën 13:30, presidentja u gjend te Memoriali i Gjergj Kastrioti- Skënderbeu në Lezhë. Ndërkohë, në orën 15:30, Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa në orën 17:00 do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi.
Më tej agjenda vijon:
Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30 Osmani do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Vendi: Zyra e kryetarit të Kuvendit, kryesia e Kuvendit përballë godinës se Kryeministrisë).
Ndërsa në orën 10:15, presidentja do të bëjë nderime dhe vendos kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Ndërkaq, në orën 12:30, presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në orën 16:00, Vjosa Osmani do të takohet me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, presidentja Osmani do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Vendi: Selia e PD-së).
Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit. Kurse, në orën 11:45, presidentja Osmani do të ketë një takim me ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.