75 Mall Live Search
22:37 / E Mërkurë, 16 Dhjetor 2020 / Blerim

Vendet e varfra mund të mos vaksinohen deri në vitin 2024

Skema globale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpërndarë vaksinat COVID-19 në vendet e varfra ka një risk shumë të lartë dështimi. Sipas një raporti nga Reuters që citon dokumente të brendshme të OBSH-së, është bërë e ditur se skema e ndarjes mund të lërë miliarda njerëz pa qasje në vaksina deri në vitin 2024, potencialisht duke i lënë ata të ekspozuar ndaj virusit.

Programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është skema kryesore globale për të vaksinuar njerëzit në vendet me të ardhura të varfra dhe të mesme në të gjithë botën kundër koronavirusit. Ai synon të japë të paktën 2 miliardë doza vaksine deri në fund të vitit 2021 për të mbuluar 20% të njerëzve me rrezik më të lartë infektimi në 91 vende të varfra dhe me të ardhura të mesme, kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.

Por, në dokumentet e brendshme të publikuara nga Reuters, promovuesit e skemës thonë se programi po lufton nga mungesa e fondeve dhe rreziqet e funizimit, të cilat mund të bëjnë të pamundur arritjen e qëllimeve të tij.

Gjithashtu, raporti thotë se rreziku i dështimit është shumë i lartë pasi skema është ndërtuar shpejt dhe në një territor të panjohur. Ndërkohë, Reuters i është drejtuar OBSH-së për një koment në lidhje me çështjen.