Spitali i Pejës për kufomën që u la në korridor: Është obligim të qëndroj 2 orë!

Gjendja si pasojë e pandemisë COVID-19 në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë. QKUK-ja dhe spitalet rajonale, janë të mbingarkuara me pacientë, ndërsa aktualisht vetëm në Spitalin e Pejës, janë 131 të infektuar, të cilët po marrim trajtim mjekësor.
Në një përgjigje për IndeksOnlinen, nga ky spital kanë thënë se kjo gjendje kërkon angazhim të madh të personelit, por që sipas tyre, me lëvizjet e brendshme të stafit deri tashti ia kanë dalë.
Ndërsa sa i përket pajisjes me oksigjen, thonë se furnizohen nga kompania “Medical”.
Por, për shërbimet shëndetësore që bëhen në këtë komunë, ka pasur kritika e raportime në këto ditët e fundit.
Madje, gjatë ditës së sotme në rrjete sociale ka qarkulluar një fotografi, ku shihej një kufomë, për të cilën thuhej se është lënë në korridor të spitalit.
Por, për këtë Spitali i Pejës, thotë se shkrepja e kësaj fotografie është gjest i papërgjegjshëm.
“Sa i përket fotos është e habitshme se si dhe sa e papërgjegjshme është bërë kjo foto nga persona të panjohur e të papërgjegjshëm, sepse fotoja është bërë brenda hapësirës së spitalit ku kufoma është obligim të qëndrojë 2 orë e pastaj të dërgohet në morg.
Nuk guxon askush ta largojë kufomën në morg para kësaj kohe dhe fotografimi i personit të vdekur në kthina është vërtet e papërgjegjshme”.

Po ashtu ka pasur zëra se mjekët dhe infermierët që punojnë në ndërrimin e natës në Qendrën Kryesore Familje në Pejë, në raste të nevojshme, të njëjtit bëhen shoferë të autoambulancave të Urgjencës.
E, për këtë nga Spitali i Pejës, kanë thënë për Indeksonline se s’kanë informacione, pasi që ata janë me mjekësinë primare dhe i përgjigjen komunës.