Plagosja e policit dhe tentativa e grabitjes së BKT-së, policia mbledhë gjurmët në vendin e ngjarjes

Persona të panjohur dhe të armatosur, mëngjesin e sotëm kanë tentuar të kryenin grabitje në filialin e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), e cila ndodhet në qendrën tregtare “Grand Store”, në “Veterenik” të Prishtinës.
Grabitësit pasi kishin vërejtur se një veturë policie po u afrohej atyre kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të zyrtarëve policorë, ku një nga plumbat e shkrepur ka goditur një polic.
Grabitësit kanë ikur nga vendi i ngjarjes pa marrë asnjë cent nga banka, ndërsa polici i plagosur menjëherë është nisur në drejtim të Emergjencës ku ka marrë trajtimin mjekësor.
Njësitet e tjera përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë gjurmët e mbetura.

IndeksOnline ka mësuar se janë shkrepur rreth 20 plumba nga kallashnikovi i grabitësve, ndërsa në vendin e ngjarjes shihet edhe vetura e dëmtuar e Policisë së Kosovës.
Lidhur me rastin janë deklaruar edhe zyrtarët policorë.
“Rreth orës 05:30 është marrë informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen “Veterniku”, në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Rreth orës 08 e 40 minuta, polici pas marrjes së trajtimit të nevojshëm mjekësor është liruar nga QKUK-ja dhe gjendja e tij është stabile”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i Policisë Rajonale në Prishtinë.
Aktualisht hetuesit policorë përfshirë edhe Forenzikën, ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po i kryejnë ekzaminimet e nevojshme si edhe po marrin të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, tha ai./IndeksOnline/