Reagon Shoqata e Bankave pas sulmit të armatosur që u bë ndaj BKT-së në Prishtinë

Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar në lidhje me sulmin e armatosur të kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ndaj filialit të një banke komerciale në Prishtinë ku fatkeqësisht është plagosur një zyrtar policor.
“Sektori bankar ka ndjekur me shqetësim rritjen e numrit të sulmeve ndaj bankave me përdorim të armatimit dhe lëndëve shpërthyese gjatë vitit 2020. Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar disa herë gjatë vitit, duke ngritur alarmin që sulmet dhe tentativë-grabitjet janë duke u bërë çdo herë e më të dhunshme duke rrezikuar jetën dhe pronën”, thuhet në komunikat.
Bëhet e ditur se në lidhje me këtë dukuri negative, janë mbajtur edhe takime të shumta me Policinë e Kosovës ku është theksuar se duhet të ketë hetime intensive për zbardhjen e rasteve të ndodhura më herët pasi që nëse nuk zbulohen rastet e mëhershme, atëherë numri i sulmeve mund të vazhdojë të rritet në të ardhmen, duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve.
“Shoqata e Bankave të Kosovës shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e sektorit bankar për punën që po bën Policia e Kosovës për të rritur sigurinë në vend, duke uruar që zyrtari policor të shërohet sa më shpejt. Njëherësh i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mbështesë Policinë e Kosovës me resurset e nevojshme në mënyrë që ata të mund t’i kryejnë detyrat e tyre me sukses dhe siguri të lartë”, theksohet në komunikatë.