75 Mall Live Search
09:08 / E Shtunë, 19 Dhjetor 2020 / A. M.

Vdes ushtari i parë rus në Nagorno-Karabak

Ka vdekur ushtari i parë rus në Nagorno-Karabak përderisa ishte duke deminuar një rrugë. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Ushtari në fjalë është viktima e parë në mesin e trupave paqeruajtëse ruse, të cilat u vendosën në Nagorno-Karabak mujin e kaluar pas marrëveshjes së armëpushimit mes Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene, e cila u nënshkrua më 10 nëntor me ndërmjetësimin e Rusisë.

Raportohet se ushtari vdiq nga plagët e rënda gjatë dërgimit në spital pas shpërthimit të një mine afër qytetit të dytë më të madh në rajonin e kontestuar, Shushi.

Enklava e Nagorno-Karabakut nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e territorit të Azerbajxhanit, por është e populluar nga shumica etnike armene. Në atë rajon tashmë janë vendosur rreth 2.000 trupa paqeruajtëse ruse.

Gjatë luftimeve që shpërthyen më 27 shtator në Nagorno-Karabak dhe distriktet përrreth tij janë vrarë mbi 4 mijë ushtarë të të dyja palëve dhe dhjetëra civilë.