SHBA i dhuron 2 laparaskopë modern për QKUK

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Programit për Asistencë Humanitare, ia ka dhuruar 2 laparaskopë me pajisje përcjellëse Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Këta laparaskopë janë të teknologjisë së fundit dhe janë të vetmit që janë në përdorim në vende të Ballkanit.
Pajisjet kapin vlerën e më shumë se 239 mijë eurove.
Donacionin e dorëzoi major Courtney Olson, shefe e Zyrës për Mbrojtje dhe Bashkëpunim në kuadër të Ambasadës amerikane, e cila tha donacioni është dhuruar pas kërkesave që kanë bërë institucionet shëndetësore dhe ka kënaqësinë ta dorëzojë këtë donacion.
Me këtë rast Valbon Krasniqi, u.d. i drejtorit të përgjithshëm në SHSKUK ka falënderuar Komandën Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara për donacionin, duke siguruar se këto pajisje do të përdoren për pacientët që kanë nevojë për intervenime kirurgjike.
Falënderim për donacionin bëri edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se ky donacioni i radhës në kuadër të donacioneve të shumta që kanë bërë Shtet e Bashkuara të Amerikës.
Ferat Sallahu, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë, tha se mjekët e klinikës janë të përgatitur për të punuar me këta laparaskopë dhe se me ta do të lehtësohet puna e stafit mjekësor.
Në kuadër të këtij projekti para disa javësh është dhuruar një CT moderne për Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë.