Prezantohet rrejshëm si polic, mbante me veti edhe pistoletë lodër

Policia në Prizren, ka pranuar një informacion se një person i dyshimtë që disa herë viziton një qendër bamirësie në Prizren me pretekstin se është person zyrtar dhe kërkon respektimin e masave antiCovid-19.
Në këtë rast i dyshimti prezantohet si person zyrtar, në cilësinë e policit. Punëtorët e kësaj qendre, duke dyshuar se ky person nuk është polic atë e raportojnë dhe gjatë verifikimit nga Njësiti i hetimeve rajonale, është konstatuar së ky person është prezantuar rrejshëm.
“I dyshimti S.D., i lindur në vitin 1973, mbante në brez një armë (pistoletë) me këllëf, por e cila më vonë është vërtetuar se ishte lodër plastike, pra nuk ishte armë e vërtetë. I dyshuari paraprakisht edhe para dy muajve e kishte kryer të njëjtin veprim”, thuhet në njoftimin e policisë rajonale.
I dyshuari është shoqëruar në polici nga Sektori rajonal i hetimeve në Prizren ku edhe është intervistuar, gjithashtu i është sekuestruar edhe pistoleta e plastikës me mbishkrimin “’DESERT EAGLE PISTOL”.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt hetimore.