Kryediplomatja niset për Turqi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka nisur sot një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë.
Në nisje të kësaj vizite, shefja e diplomacisë kosovare do ta vizitojë mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk-ut “Anıtkabir”, ku do të bëjë vendosjen e kurorës dhe një shënim protokollar në librin e kujtimeve.
Pas kësaj, delegacioni i Kosovës do të niset për në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, ku shefja e diplomacisë kosovare do të zhvillojë një takim kokë më kokë me homologun e saj, z.Mevlüt Çavuşoğlu, duke vazhduar më pas me takimin bilateral të të dyja delegacioneve. Në këtë takim pritet të diskutohet për zhvillimet me interes të veçantë për të dyja shtetet, përfshirë zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare si edhe për situatën e vështirë pandemike, me theks të veçantë bashkëpunimin për sigurimin e vaksinës antiCovid.
Ministrja Haradinaj-Stubllla dhe ministri Çavuşoğlu do të kenë një konferencë të përbashkët shtypi.
Vizita e ministres Haradinaj-Stublla në Ankara, me ftesë të homologut të saj, rikonfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve dhe synon thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.