75 Mall Live Search
10:30 / E Hënë, 28 Dhjetor 2020 / k.v

AKB-ja kërkon nga deputetët miratimin e buxhetit

Aleanca Kosovare e Biznesit u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës ta votojnë buxhetin e vitit 2021. Pasi, sipas AKB-së kjo gjë do të jetë në të mirë të ekonomisë dhe qytetarëve të vendit.

“AKB-ja u kërkon të gjithë deputetëve të Parlamentit të Kosovës se sot të votohet buxheti në të mirë të ekonomisë së Kosovës dhe vetë qytetarëve të saj”, thuhet në një komunikatë të AKB-së.

Sipas AKB-së zgjedhjet do të mbahen brenda disa javëve, formimi i Qeverisë nuk dihet saktë kur do të ndodhë, prandaj është i rëndësishëm votimi i buxhetit. Deputetët këtë gjë e kanë obligim moral e politik e kushtetues..

“Zgjedhjet tashmë po dihen se do të ndodhin brenda disa javëve apo muajit, por formimi i Qeverisë së re nuk dihet sepse kjo mund të zgjasë me muaj të tërë pavarësisht fituesit të zgjedhjeve, prandaj miratimi i buxhetit është obligim moral politik e kushtetues”, thuhet në komunikatë.

Kuvendi i Kosovës, të hënën do mbajë seancën e jashtëzakonshme ku në rend dite do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2021.

Thirrje për miratim të buxhetit ka pasur edhe nga përfaqësues të odave ekonomike.