Hoxhaj zhvillon bisedë me ish-presidenten e Zvicrës, pranon urime për kandidaturën për kryeministër

Kandidati për kryeministër nga radhët PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë ditës së sotshme ka pasur një bisedë telefonike me miken e shqiptarëve, ish-presidentën e Zvicrës, Micheline Calmy Rey.
Në këtë bisedë telefonike, Hoxhaj ka pranuar urime nga ish-presidentja Calmy Rey për kandidaturën e tij për kryeministër, transmeton Indeksonline.
Postimi i plotë i Enver Hoxhajt:
Me Ish-presidenten e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, e cila është politikanja më e dashur nga diaspora shqiptare për shkak të rolit të saj ndaj Kosovës, zhvilluam një telefonatë të këndshme dhe përmbajtësore. Si një nga zërat e parë që i dolën në përkrahje pavarësisë tonë, presidentja Calmy-Rey mbetet një mike e përhershme e jona.
Biseduam për situatën aktuale politike në vend dhe rajon dhe për hapat e mëtutjeshëm të Kosovës në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në veçanti u fokusuam tek roli i diasporës shqiptare të Zvicrës, e cila tashmë është një mërgatë jo vetëm në numër por edhe në cilësi si për Zvicrën edhe për Kosovën. Gjenerata e tretë e kësaj mërgate janë emra të njohur ekspertësh, mjekësh e sportistësh që përfaqësojnë dinjitetshëm të dy shtetet tona.
Pranova edhe urimet për kandidaturën time për kryeministër të Kosovës nga presidentja Calmy-Rey e cila shprehu edhe një herë admirimin dhe afërsinë shpirtërore me popullin e Kosovës. Përjetësisht mirënjohës Zvicrës dhe presidentes Calmy-Rey për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës.