U akuzua si fajtor për shkarkimin e Munishit/ Përgjigjet Haris Fakiç

Trajneri Ismet Munishi, javën e kaluar u shkarkua nga Ballkani pas qëndrimit 18 mujorë në krye të klubit.
Afrim Tovërlani dhe disa analistë të futbollit kosovarë kanë fajësuar “njerëzit e Skendërbeut” për shkarkimin e Munishit.
Analisti Arben Zeqiri deklaroi të hënën se fajtori kryesor është menaxheri Haris Fakiç që ka ndikuar në vendimin e klubit të Ballkanit.
Indeksonline ka kontaktuar me menaxherin Fakiç, i cili ka mohuar akuzat duke thënë që nuk ka fare dorë as në shkarkimin e Munishit as në emërimin e Bledi Shkëmbit.
Çfarë mendon për akuzat që kanë ngritur disa njerëz duke të fajësuar ty për shkarkimin e Ismet Munishit?
Fillimisht nuk kisha pas dëshirë që kjo përgjigje të kuptohet si arsyetim për dikë, thjeshtë dua që ta njoftojë opinionin sportive në Kosovë në lidhje me punën që unë vërtetë e bëj.
“Normalisht që nuk më vjen mirë që më fajësojnë mua dhe më bëjnë shkaktar kryesor për at ngjarje. Besoj se fakti që unë jam parë kohët e fundit në stadiumet e Kosovës së bashku me presidentin Arsim Kabashi të cilin e kam mik dhe jemi duke bashkëpunuar për të ardhmen në aspektin sportiv. Nuk është vetëm ai, unë kamë bashkëpunim edhe me presidentin e Trepçës 89 Abedin Zeka në nivel klubesh por unë jam vetëm menaxher që ndihmojë lojtarët të bëjnë lëvizje të ndritshme.
Unë nuk ndërroj trajner, as nuk kam ndërruar kurrë në karrierën time profesionale. Kjo nuk ka ndodhur kurrë te Skenderbeu ku kam punuar për 5 vite, e akoma më pak në klube tjera. Trajnerët janë ndërruar vetëm si mungesë e rezultateve dhe vetë natyra e punës me të cilin miret. Në fund këtë ekskluzivitet e ka vetëm e vetëm presidenti i klubit.
E vetmja punë që kam bërë te Ballkani deri në këto momente është afrimi i ish dy futbollistëve të Skënderbeut, Bajram Jashanica dhe Nazmi Gripshi. Poashtu afrimi në formë huazimi i Mirlind Dakut nga Osijeku, të cilin e menaxhon Shkumbin Qormemeti, me këtë të fundit kam relacione dhe bashkëpunim të ngushtë”
Si i keni marrëdhenjët me Ismet Munishin sepse kemi informacione që është një mik i yti?
“Unë kam respect të madh për Ismetin. E respektoj punën që e ka bërë në të kaluarën sepse ka ndihmuar shumë lojtarë poashtu edhe klubet ku ka punuar. Megjithatë duhet që t’i ndajmë gjërat. Puna është e tillë ku nganjëherë ndikon që shkaku i natyrës së punës edhe shoket e ngushtë ndajnë rrugët. Duke e pas parasysh që kam qëndruar disa herë me Ismetin, ai e din më së miri kush jam unë dhe si jam. Ne njihemi para Ballkanit edhe kemi bashkëpunuar dhe besoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë në të ardhmen sepse ne jemi profesionishtë dhe shikojmë interesat tona. Nuk ndëgjojmë opinionet e ndryshme apo spekulimet”
Trajneri i ri Bledi Shkëmbi vjen nga Shqipëria, duke pa afërsinë që keni me presidentin Kabashi a keni ndikuar ju në emërimin e tij? Apo pse mendon që kanë lindur këto spekulime?
“Nëse më pytni për trajnerin Bledi Shkëmbi, unë kam qenë më shumë prezent në Kosovë. Atëherë nëse jam person që kam insistu të hiqet një trajner dhe në vend të tij nuk vjen një trajner që unë kam pasur dëshirë, kjo nuk ka logjikë që unë e kam shkarkuar. Për Bledi Shkëmbin kam shumë respekt edhe e përgëzojë për punën që e ka bërë si trajner. Por Bledin unë nuk e kam sjellë te Ballkani. As vetë nuk jam pjesë e Ballkanit deri në këto momente. Jam vetëm mik i presidentit me të cilin bashëkpunojmë në repart të përcaktuar”
Si e vlerësoni kampionatin kosovar dhe kush mendon se është pretendenti kryesor për titull?
“Mendoj që kampionati është në rritje e sipër, qoftë nga pikëpamja e investimeve qoftë vetë futbolli që prodhohet. Mendoj që ky është vetëm fillimi i futbollit kosovar. Besoj që në të ardhmen do të bëhet njëri ndër kampionatet më të fortë në regjon. Sa i përket titullit besoj që edhe sivjet do të jetë një diferencë e ngushtë mes kandidatëve. Me siguri Ballkanin e shikoj si ekip që ka shumë mundësi të fitojë titullin, pavarësisht luhatjeve që pati kohën e fundit. Besoj që ka krijuar një skuadër të fortë dhe me mentalitet e objektiv të qartë. Konkurrentët tjerë të fortë janë Drita dhe Prishtina që janë gjithnjë të rrezikshme”
A ka mundësi të shohim në të ardhmen te ndonjë ekip në Kosovë pasi duket se keni mendim pozitiv për futbollin tonë?
“Nuk e përjashtojë mundësinë në të ardhmen. Akoma jam pjesë e klubit të Skendërbeut, nëse do mendoja diçka të tillë sigurisht nuk dua të jem diku tjetër i punësuar. Neve na njohin të gjithë për transferimet që kemi bërë në të kaluarën në Kosovë. Tregu kosovar në intereson dhe për këtë arsye do të hapim zyrtarisht filialën tonë në Prishtinë me qëllim që të afrohemi edhe fizikisht më pranë lojtarëve më të cilët do të bashkëpunojmë në të ardhmen. Kjo zyrë mbanë emrin e agjencisë tonë SSMAGENCY për menaxhim në krye me Shkumbin Qormemetin ku do të marrin pjesë edhe skautët tanë, edhe unë gjithashtu”.
/Indeksonline/