75 Mall Live Search
08:55 / E Mërkurë, 30 Dhjetor 2020 / OSH

Qeveria miraton Planin e Punës për vitin 2021

Me kërkesë të kryeministrit të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, dhe në pajtim me Rregulloren e punës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen korresponduese-elektronike, të 53-n me radhë, në të cilën ka miratuar Planin e punës së Qeverisë për vitin 2021 dhe vendime të tjera të fushave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit ka miratuar dhe Planin indikativ të punës së Qeverisë për vitet 2022 dhe 2023. Bashkëngjitur me Planin e punës, Qeveria ka miratuar edhe Programin legjislativ dhe Planin e dokumenteve strategjike për vitin 2021.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Udhëzimin administrativ për përdorimin e njësive matëse ligjore. Me këtë Udhëzim administrativ rregullohen njësitë matëse ligjore që përdoren në Republikën e Kosovës. Gjithashtu rregullohet mënyra e përdorimit të tyre, madhësia, emërtimi dhe simbolet e këtyre njësive matëse. Udhëzimi administrativ zbatohet për mjetet matëse të përdorura, matjet e bëra dhe treguesit e sasisë të shprehura në njësi matëse.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin  për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 18/48 të 07.12.2020. Me ndryshimet e bëra shtyhet afati i paraparë për paraqitjen e analizës-studimit nga Grupi punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, deri më 15 prill 2021.

Është miratuar edhe vendimi  për të kërkuar nga presidenti i Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për ministrin e Drejtësisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile me Maqedoninë e Veriut.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin  për miratim të reduktimit dhe ridestinimit të alokimeve të lira nga lista e projekteve kapitale të pashpenzuara, të të gjitha projekteve me fonde të lira nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, bazuar në regjistrat kontabël aktualë, deri në vlerën e 17,456,665.27 eurove dhe përdorimi i tyre për të rimbursuar shpenzimet e ndodhura nga Programi i rimëkëmbjes ekonomik.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për miratimin e mjeteve financiare në shumë prej 1,047,710.96 € (një milion e dyzetë e shtatë mijë e shtatë qind e dhjetë e nëntëdhjetë e gjashtë  centë) për Agjencionë për Shërbimet e Navigimit Ajror, për mbulimin e deficitit të shkaktuar nga mjetet e pamjaftueshme të mbledhura nga të hyrat e dedikuara si burime të financimit të buxhetit, të financuara përkohësisht nga granti qeveritar.