75 Mall Live Search
19:52 / E Mërkurë, 30 Dhjetor 2020 / Blerim

29 vjet nga sulmi i kullës së Jasharëve, Kurti: Ata dhanë gjithçka seose lirinë e deshën për ne

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në rrjetin social FB, ka kujtuar sakrificën e Familjes Jashari, teksa ka thënë se saktësisht 29 vjet më parë, me 30 dhjetor, forcat serbe sulmuan kullën e Jasharëve në Prekaz. Mirëpo, aty u sprapsën me panik nga pushkët e Bacës Shaban me djemtë e tij.

Në fund ai thotë se ” ATA dhanë gjithçka. Sepse lirinë e deshën për të gjithë ne. Kosovën e presin ditë të mira. Për aq sa nuk i harron ATA”.

Ky është postimi i plotë:

ATA

Fillimi i luftës në Kosovë shënonte betejat e mbrama për ta. Vitet 1997-1999, ishin faza e fundit për ata që po luftonin për liri që nga viti 1991. Saktësisht 29 vjet më parë, me 30 dhjetor, forcat serbe sulmuan kullën e Jasharëve në Prekaz. Mirëpo, aty u sprapsën me panik nga pushkët e Bacës Shaban me djemtë e tij.

Që nga ajo ditë ata jetuan dhe luftuan me dy parime të thjeshta e të vështira: 1) Nuk do ta lëshojmë Kosovën deri në çlirimin e vendit dhe bashkimin e kombit; 2) Nuk dorëzohemi e nuk nënshtrohemi për së gjalli. Nga ky betim që ata ia bënë tokës sonë e njëri-tjetrit lindi UÇK-ja.

ATA dhanë gjithçka. Sepse lirinë e deshën për të gjithë ne. Kosovën e presin ditë të mira. Për aq sa nuk i harron ATA.