75 Mall Live Search
08:59 / E Martë, 05 Janar 2021 / OSH

14 foshnje erdhën në jetë gjatë ditëve festive në Pejë

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, nga 1 janari e deri sot, kanë ardhur në jetë 14 foshnja.

Prej tyre 8 kanë qenë të gjinisë mashkullore e 6 të gjinisë femërore.

Bëhet e ditur se 6 lindje kanë qenë normale e 8 me prerje cezariane.

Nga ana tjetër 73 pacientë me Covid po trajtohen në këtë spital e prej tyre 10 janë në gjendje më të rëndë.

“73 pacientë janë duke u trajtuar aktualisht në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë me Covid-19. Sa i përket gjendjes së pacientëve: 2 pacientë janë me respirator(CPAP), 31 pacientë me oksigjenoterapi, ndërsa nga ta 10 pacientë janë në gjendje më të rëndë, kurse 2 pacientë janë shëruar nga Covidi-19 gjatë 24-orëve të fundit”, theksohet në raportin e këtij spitali.

Ndryshe gjatë vikendit dhe festës së Vitit të Ri në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 938 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësor dhe nga ta 82 pacientë janë shtruar për trajtim të mëtejshëm.

594 pacientë kanë kryer analiza, që në total janë bërë 5.411 sosh, ndërsa janë kryer 17 operacione.