Sfida e të qenurit menaxher i një Kampioni të Botës, flet Luan Dreshaj

Pas çdo sportisti të suksesshëm qëndron një njëri që e motivon dhe i qëndron afër në momente të mira dhe të vështira.
15 vjet me radhë, Kampioni i Botës, Haxhi e Krasniqi, e ka pasur afër vetës Luan Dreshajn, menaxherin e tij që nuk iu nda në asnjë moment.
Në një intervistë për Indeksonlinen, Dreshaj ka treguar për problemet dhe vështirësitë që janë në menaxhimin e një boksieri.
Sa është e vështirë të menaxhosh një Kampion Bote si Haxhi Krasniqi?
Dreshaj: Më vështirë kanë qenë ato 10 vjetët e para se këta 5 vjetët nga viti 2015 e këtej. Ne bashkëpunojmë plot 15 vjet dhe vështirësitë e mëdha i kishim në fillim, shkaku i krijimit të mundësive për të luftuar emra dhe tituj të mëdhenj, shkaku i sponsorimit e kështu me radhë. Ndërkohë edhe Haxhiu arriti të zhvillohet tepër mirë në çdo aspekt dhe ne si shokë të ngushtë arritëm te ngrisnim nivelin e cilësisë së bashkëpunimit dhe kështu u krijua ajo rutina që na duhej dhe tani e kemi atë infrastrukturën që e kemi kërkuar që nga fillimi, andaj tani është shumë më lehtë.

A keni boksierë të ri nga akademia që mund ta ndjekin rrugën e Haxhisë?
Dreshaj: Unë personalisht jam tërhequr ndërkohë komplet nga boksi, pos bashkëpunimit me mikun tim Haxhi Krasniqi dhe Kampionit të Botës në peshat e rënda Manuel Charr. Pra ne boks bashkëpunoj ekskluzivisht me Haxhi Krasniqin dhe e mbështeti nga pak edhe Kampionin e Botës ne peshat e renda, Manuel Charr, por vetëm në një sektor të caktuar me detyra këshilluese dhe kështu po e ndiej veten shumë mirë. Kam qenë afro 13 vjet shumë aktiv dhe kam bashkëpunuar me shume boksierë, por ajo me ka kushtuar shumë energji dhe kam përjetuar shumë zhgënjime, andaj jam tërhequr.
Temperamenti i “nxehtë” i shqiptarit, pozitiv apo negativ në boksin profesionist?
Dreshaj: Absolutisht negativ! Duelet e boksit në cilësinë e lartë botërore nuk fitohen me forcë por me zgjuarsi. Shumë boksier shqiptar dhe në përgjithësi Evropianet Jugor e Juglindor e marrin krejt atë temperamentin që e kanë jashtë ringut edhe në ring me veti, kjo mund të ju sjell fitore në duelet e para ndaj kundërshtarëve jo cilësor, por kur lufton me boksier cilësor aty duhet të jesh shumë i qetë, i zgjuar dhe i pamëshirshëm.

A ka Kosova potencial për të rritur boksierë me këto kushte që aktualisht ka?
Dreshaj: Për të nxjerrë boksier të mirë nuk duhen kushte moderne, është gabim i madh ajo qe e dëgjoj nga shume boksier amator në Kosovë apo Shqipëri. Ata që e kanë talentin e boksit, duhet vetëm të mësoj ta duan boksin, ne atë moment që talentit ia bashkëngjitin edhe dashurinë për atë sport, ata nuk do i ndal kush fare. Tani jetojmë në kohën kur çdo gjë e shohim në internet, një video e një talenti në internet gjithnjë bëhet virale, pse ata mos te kenë shpresë? Madje shpërblimet që jepen për fitimin e titujve në sportet individuale të sportit amator ne Kosove nuk jepen as në Gjermani. Unë mendoj se boksit amator të Kosovës i mungojnë 2 apo 3 menaxher të mirë. Pra po të kishte njerëz të tillë në klubet më të mëdha të Kosovës, ata do i motivonin te rinjtë dhe sukseset nuk do te mungonin.
Përveç Haxhi Krasniqit, cili mendoni që është shqiptari që ka bërë më shumë në boks në të kaluarën?
Dreshaj: Pas Haxhi Krasniqit natyrisht se vjen Luan Krasniqi, i cili ka qenë një ndër boksierët e parë profesionist shqiptar që u shfaq në atë kohë në arenën ndërkombëtare dhe e fitoj titullin e Evropës dy herë, si dhe luftoj për titullin e Botes një herë. Luan Krasniqi madje e kishte edhe një karriere të bujshme në boksin amator, megjithatë boksi profesionist e mbizotëron botën e boksit ne përgjithësi, andaj jam shumë krenar që jam pjesë e suksesit që e korri Haxhiu, i cili hyri në historinë e boksit duke u bërë shqiptari i parë që arriti të shpallet Kampion Bote. Por jam shume i bindur se edhe në të ardhmen do të kemi boksier cilësor shqiptar, do te vij një gjeneratë e re shumë interesante, kryesisht ata që kanë lindur në shtete të jashtme dhe janë rritur me boksin që nga fëmijëria, sepse për të filluar me boks tek në moshën 17-vjeqare, madje pa pasur fare përvojë amatore, e të bëhesh kampion bote në boksin profesionist, siç është rasti i Haxhi Krasniqit, kjo ndoshta nuk do të përsëritet kurrë më në historinë e boksit, deri tani sidomos është një rast unik. /IndeksOnline/