21:31 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

“Zhgënjimi” i Thaçit në partnerët ndërkombëtar, real apo aktrim?

Presidenti, Hashim Thaçi ka zgjuar reagime të shumta me deklarimet e fundit rreth Gjykatës Speciale.

Ai është ankuar se partnerët ndërkombëtar nuk po iu përmbahen zotimeve që i kishin dhënë para se të votohej krijimi i kësaj gjykate.

Kreu i shtetit ka përmendur liberalizimin e vizave, shtimin e numrit të njohjeve dhe krijimin e Ushtrisë, shkruan AktivPress.

Por sa ka të vërtet në këtë që thotë i pari i vendit?.

A ka pas kundërvlerë krijimi i Gjykatës Speciale, apo thjesht tash presidenti po aktron, për këtë kanë dhënë mendimet e tyre njohës të zhvillimeve politike e juridike në vend për Gazetën e Re.

“Ndërkombëtarët bëjnë ashtu siç gjejnë por në fund të fundit le t’i thotë emrat kush janë ata ndërkombëtarë që i premtuan vizat, e nuk i bënë apo pranimin nga 100 vende të botës që premtonin gjatë gjithë kohës. Është lehtë me rreh kërbaç popullin tënd por është vështirë të sigurosh vend të dinjitetshëm në mesin e kombeve. Kjo me diplomaci elektronik e nuk bëhet por me pune dhe respekt për ligjin dhe vendin e njerëzit këtë gjë nuk e ka bërë Thaçi e as klika e tij”, thotë analisti politik Haki Abazi.

Ai vazhdon duke thënë se: “Largimi nga skena publike e njerëzve të përfshirë në aferën PRONTO nuk është drejtësi është ikej prej drejtësi, mos-përgjigja dhe mosekzekutimi i vendimeve të drejtësisë nuk është faji i ndërkombëtarëve. Kosova duhet të këndellet. Asnjë parti nuk meriton përkrahje pa kushte, secila parti e ka për detyrë të bëjë ofertë dhe ta realizojë atë. Pastaj në bazë të realizimit duhet marrë vendimin për përkrahje apo jo”.

E sipas njohësit tjetër të çështjeve politike, Agron Halitaj, kushdo që e ka përcjell me vëmendje procesin e ndryshimeve kushtetuese i cili ka hapur rrugë miratimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, e di që ky dokument nuk është përpiluar nga faktori vendës, por nga ai ndërkombëtar, saktësisht nga ekspertët e BE-së dhe SHBA-së.

“Në rrethana të tilla, ligji është proceduar për votim në Kuvend, me një kusht të vetëm. E ai kusht nuk ka pasur të bëjë as me liberalizim vizash, e as me krijimin e Ushtrisë si kundërvlerë, por thjeshtë ka pasur të bëj me mosndërhyrje në asnjë shkronjë të vetme në dokument. Thjesht, Ligji për Specialen është ofruar nga ndërkombëtarët sipas rregullit të vrazhdë: Merre ose leje”, deklaron Halitaj për Gazetën e Re.

Sipas tij, tash kur po ofron faza e ngritjes së aktakuzave të para, është e pritshme që të kemi edhe reagime të këtij niveli që më shumë ngjajnë në aktrim, se sa në qëndrime të prera prej burrështetasi.

Nga ana tjetër, studiuesi i çështjeve juridike Armend Shkoza, theksoi se, afiniteti i një pjese të

politikanëve për ta shtrembëruar çdo proces duke e përkthyer atë në dobi të veten dhe simulimit kinse në të mirën e Kosovës. Sipas tij, që nga ditët e para kur ka filluar ky proces, si për nga përmbajtja si për nga forma është parë se kjo gjykatë nuk ka të bëjë me atë sot që njihet si ndër parimet më themelore të gjyqësisë – universaliteti i gjykimit.

“Kjo gjykatë është krijuar përmes pazareve dhe pazarin politik e ka pasur qëllim. Në fakt kjo gjykatë është mjeti disiplinues që e ka instaluar bashkësia ndërkombëtare pikërisht në korrelacion me procesin e bisedimeve me Serbinë. Karrota e bashkësisë ndërkombëtare e cila sot po paraqitet si kompromis i palës kosovare në fakt ka qenë aduti kryesor mbi të cilin klasa jonë politike mundohej ta shiste këtë proces. Në fakt karrota e vërtetë ishte interesi personal i grupit të individëve që t’i shmanget procedimit pranë kësaj gjykate”, ka thënë Shkoza.

Tutje ai shton se: “Siç shihet tani është tepër vonë, edhe për kritikën edhe për të ndryshuar ndonjë gjë në raport me Gjykatën Speciale. Ajo tani është pjesë e rregullimit kushtetues dhe çdo mënjanim i saj kërkon pëlqimin edhe të deputetëve të Listës Srpska, gjë që paraqet absurditet një pritje e tillë. Prandaj, në cilëndo formë ata sot që po e kritikojnë, nuk e kanë hallin e këtij vendi por të vetës në raport me ballafaqimin me të dhe historicizmit të figurës së tyre – që do të mbahen në mend edhe për shumë gjatë për dëmin që na e kanë sjellur në pakon e quajtur – Gjykata Speciale”.

Ndërkombëtarët e kanë projektuar lirinë dhe shtetin tonë, ndërkaq pushtetarët vendorë kanë qenë bashkëpunëtor ose “kolaboracionistë” të ndërkombëtarëve kush më shumë e kush më pak, ka thënë për Gazeta e Re, analisti Bajrush Morina.

“Për dështimet në avancimin e shtetit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare nuk duhet të fajësohen ndërkombëtarët. Fajtorë janë vendorët. Ata na kanë hapur shtegun dhe ne duhet të ecim vetë tash. Sa për Gjykatën Speciale po ashtu janë “fajtorë” vendorët. Deputet e Kuvendit kanë miratuar ndryshimet kushtetuese. Tash kur Specialja i ka trokitur në derë dikujt nuk janë fajtorë ndërkombëtarët. Specialen e kanë krijuar me veprimet e tyre ata rrihnin gjoks se jemi “komandanta!” Tash e bafshin me shëndet. Ndërkombëtarët janë miqtë e Kosovës e lufta e Kosovës le të zbardhet me të gjitha “të zezat e të bardhat” e saj”, nënvizoi Morina për Gazetën e Re.

Shumë shpejt Gjykata Speciale pritet t’i ngrejë aktakuzat e para ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Si duhej të silleshin të akuzuarit potencialë ndaj ftesës së kësaj gjykate, si dhe cili duhet të jetë reagimi i institucioneve të sigurisë në vend?

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi Betim Musliu, ka thënë se “të gjithë duhet t’i binden urdhrave të Gjykatës Speciale dhe t’i zbatojnë me përpikëri”. Nuk ka alternativa tjera ndaj vendimeve gjyqësore”, është shprehur shkurt Musliu.

Ndërsa Politologu Ramush Tahiri konsideron se, Presidenti Hashim Thaqi nuk do të mund t’i mbijetojë kësaj çështjeje, ngase nuk mund të gjejë përkrahje tek faktori dhe tek partnerët ndërkombëtar në këtë mënyrë të bërjes së politikës.

“Nxitja e Thaqit duket morale por jo ligjore, procedurale e as praktike. Nuk beson askush se puna e Gjykatës pas votimit në Kuvend do të mund të ngadalësohet e asesi jo të pezullohet as përkohësisht e as përfundimisht. Gjithashtu nuk duket e mundshme që të ndryshohet Ligji dhe fushëveprimi i tij të mos shtrihet vetëm te UCK-ja, por të zgjerohet edhe te grupet e tjera të shtetit të Serbisë”, vlerëson Tahiri.

Në lidhje me krijimin e opinionit negativ për Gjykatën Specaile, Tahiri thotë se “nuk do të jetë fare i dobishëm për askend, sepse po shihet se ndikimi i popullit është i pavërejtshëm në marrjen e vendimeve të mëdha. Kosova përfundimisht po dëshmohet e pa sovranitet dhe subjektivitet ndërkombetar”.

Politologu Tahiri nuk ka asnjë dyshim se “garniturat politike do të jenë ende në shërbim ndërkombëtar e jo në legjitimitet të popullit”.

Ndryshe, fillimi i kësaj gjykate është mundësuar pas harmonizimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave me Kushtetutën e Kosovës. Ndërsa, tani thuhet se varet nga Gjykata Speciale se kur do të iniciojë aktakuzat e para. Selia e Gjykatës është në Hagë të Holandës, kurse përbërja e saj është nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, si dhe do të financohet nga BE./ Gazetaere/AktivPress