75 Mall Live Search
13:28 / E Premte, 08 Janar 2021 / OSH

Reshjet e shiut/ IKSHP kërkesë KRU “Prishtina”: Merrni masa teknike për menaxhimin e situatës

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka reaguar përmes një komunikate pas reshjeve të shiut që po vazhdojnë në vendin tonë. IKSHPK-ja i ka kërkuar KRU “Prishtina”, që të marrë të gjitha masat e nevojshme teknike në mënyrë që uji i pijshëm të mos ketë vlera që tejkalojnë standardin e konsumit.

Njoftimi i plotë:

Duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura për cilësinë e ujit të pjshëm, si rezultat i reshjeve të dendura të shiut, Qendra e Ujit në IKSHPK ka sforcuar monitorim e cilësisë së ujit të pijshë gjatë tërë kësaj periudhe.

Bazuar në rezultatet nga matjet e kryera deri tani vërehen vlera të shtuara të turbullirës, e cila ndikon në procesin e ngadalësimit të trajtimit të ujit dhe rrjedhimisht zvogëlimin e kapacitetit prodhues (zvogëlim i sasisë së ujit të përpunuar).

Andaj luten qytetarët të kenë kujdes në shfrytëzimin racional të ujit të pijshëm dhe kursimin e tij.

Vlerat e turbullirës i tejkalojnë vlerat e lejuara sipas Udhëzimit administrativ nr.16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu, prandaj kërkojmë nga KRU “Prishtina” urgjentisht të merren të gjitha masat teknike për menaxhimin e situatës së krijuar.

Rekomandohet:

1. Sforcimi i të gjitha fazave të trajtimit të ujit të pijshëm;

2. Të matet rregullisht Ph-ja në pjesën hyrëse dhe dalëse të filtrave;

3. Të bëhet pastrimi i filtrave dhe të kontrollohen vlerat e parametrave përcjellës;

4. Të regjistrohen të gjitha rezultatet dhe masat e marra;

5. KRU duhet menjëherë të fillojë planifikimin e zgjidhjeve dhe gjetjes së alternativave për furnizim të rregullt të qytetarëve me ujë të pijshëm.

IKSHPK-ja konsideron që zbatimi i këtyre masave është i domosdoshëm për tejkalimin e problemit aktual të cilësisë së ujit të pijshëm dhe rrjedhimisht për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

IKSHPK-ja do të vazhdojë mbikëqyrjen e afërt të gjendjes dhe koordinimin e veprimeve me KRU “Prishtina” dhe institucionet tjera relevante në tërë vendin.