Vjosa Osmani vizitë në Bruksel, nesër takon zyrtarët e lartë të BE-së

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Bruksel, ku do të ketë takime me zyrtarë të Belgjikës, si dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Osmani pritet të takojë të martën presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasolli, dhe komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
BE-ja i ka konfirmuar këto takime, por nuk ka dhënë hollësi rreth temave që pritet të diskutohen.
Sipas burimeve të BE-së, pritet që të flitet për situatën aktuale në Kosovë, për procesin zgjedhor, për përballjen me pandeminë e koronavirusit, si dhe për dialogun me Serbinë.
Në takimet e Osmanit me zyrtarë të BE-së pritet të flitet edhe për ndihmën që i ofron Bashkimi Evropian Kosovës në përballje me pandeminë e koronavirusit, e sidomos për përgatitjen për fushatën e vaksinimit.