75 Mall Live Search
08:42 / E Enjte, 14 Janar 2021 / OSH

Dhjetë studiues të OBSH-së arrijnë në Wuhan, do të studiohet Covid-19

Një ekip prej dhjetë anëtarësh-studiuesish nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti sot në Kinë. Ata do të qëndrojnë në Wuhan, aty ku për herë të parë filloi pandemia e koronavirusit.

Ardhja e ekipit të ekspertëve të OBSH-së në Wuhan u miratua nga Qeveria e presidentit Xi Jinping pas disa muajsh bisedimesh dipolomatike. Studiuesit do të hetojnë origjinën e pandemisë dhe mundësinë nëse Pekini zyrtar ka fshehur ndonjë zbulim rreth kësaj çështjeje, shkruan Indeksonline.

Ekipi përfshin ekspertë të virusit dhe specialistë të tjerë nga SHBA-ja, Austria, Gjermania, Japonia, Britania, Rusia, Hollanda, Katari dhe Vietnami.

Ata duhet të futen në një karantinë dyjavore, si edhe të testohen për Covidin-19.

Kina fillimisht hodhi poshtë një kërkesë për një hetim ndërkombëtar kur administrata e presidentit Donald Trump akuzoi Pekinin si fajtor për përhapjen e virusit që çoi në rënien më të thellë të ekonomisë botërore që nga vitet 1930./Indeksonline/