75 Mall Live Search
23:49 / E Mërkurë, 20 Janar 2021 / Blerim

Papa lut Zotin që të udhëzojë Biden për pajtim në SHBA dhe me botën

Papa Françesku tha se po i lutej Zotit që të udhëzojë përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për të arritur pajtimin në SHBA dhe midis kombeve të botës.

Në një mesazh të dërguar menjëherë pasi Joe Biden u betua si president i 46-të i SHBA-së, Papa shfaqi shpresën se Biden do të punojë për një shoqëri të karakterizuar nga drejtësia, liria dhe respektimi i të drejtave dhe dinjitetit të çdo njeriu, veçanërisht të varfërve, të pambrojturve dhe atyre pa zë.

“E lus Zotin të udhëheqë Joe Biden në promovimin e mirëkuptimit, pajtimit dhe paqes në SHBA dhe midis kombeve të botës në mënyrë që të promovojnë të mirën e përbashkët universale. Në një kohë krize serioze shpresoj që vendimet e pasardhësit të Trump do të udhëhiqen nga shqetësimi për të ndërtuar një shoqëri të drejtësisë dhe lirisë autentike”.

Pas ngjarjeve të dhunshme në Kongresin amerikan, më 6 janar, kur mbështetës të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, hynë me forcë ndërsa ligjëvënësit po certifikonin rezultatin zgjedhor, Papa Françesku u bëri thirrje amerikanëve të tregonin “ndjenjën e tyre të përgjegjësisë”.

“Unë i nxis autoritetet shtetërore dhe të gjithë popullsinë të tregojnë një ndjenjë të lartë përgjegjësie në mënyrë që të qetësojnë zemërimin, të promovojnë pajtimin kombëtar dhe të mbrojnë vlerat demokratike të rrënjosura në shoqërinë amerikane”, pati thënë Papa.