75 Mall Live Search
09:12 / E Enjte, 21 Janar 2021 / OSH

Joe Biden dhe biçikleta e palestrës, ekspertët e sigurisë ngrejnë alarmin

Joe Bideni, sapo u transferua në Shtëpinë e Bardhë, ka firmosur një serë vendimesh, që rrëzojnë ato të paraardhësit të tij Donald Trump.

Por në vëmendje të ekspertëve të sigurisë kibernetike është një biçikletë që përdor presidenti i SHBA-së.

Presidenti amerikan 78-vjeçar ushtron çdo mëngjes me një “Peloton”, një biçikletë stërvitjeje shumë të sofistikuar, e pajisur me një mikrofon dhe një aparat fotografik dhe që lidhet me Internet me përdoruesit e tjerë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, janë pikërisht mikrofoni dhe kamera me të cilën secili “Pelotoni” është i pajisur, i cili mund të jetë pre e sulmeve të ndryshme.

CIA kërkon të parandalojë mundësitë që hakerët rusë ose kinezë t’i fusin hundët në palestrën e Shtëpisë së Bardhë.

Alarmi është ngritur nga revista “Popular Mechanics” në artikullin me titullin: “Pse Joe Bideni nuk mund ta sjellë ‘Pelotonin’ e tij në Shtëpinë e Bardhë”.

Sipas ekspertëve, Bideni mund të përdorë “Pelotonin” e tij, por vetëm pasi shërbimi sekret dhe siguria kombëtare e SHBA-së të kenë vënë në dorë mbi të, duke e shndërruar në diçka ndryshe nga modeli i zakonshëm.

Sipas mediave amerikane, edhe ish-Zonja e parë Michelle Obama përdor gjithashtu një “Peloton” të modifikuar e të mbrojtur nga ndërhyrjet, por zëdhënësi i saj nuk e konfirmon diçka të tillë.

Bideni nuk do t’ ishte presidenti i parë amerikan që veset elektronike të të cilit bien ndesh me sigurinë e Shtëpisë së Bardhë.

Donald Trumpi pëlqente të përdorte iPhone-in e tij personal për telefonata me miqtë, ndërsa Barack Obama një  BlackBerry e më pas një iPad.