Del vendimi i Gjykatës/ Një muaj paraburgim për Skënder Krasniqin

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Skënder Krasniqi për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe; Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit Skënder Krasniqi, gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që ajo ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri Skënder Krasniqi mund t’i asgjësojë, fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale, duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët janë familjarë të të pandehurit, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri ekziston rreziku se do të pengohet rrjedha e procedurës penale.
I pandehuri dyshohet se më 27.01.2021 rreth orës17.00, në parkimin e ndërtesës ku edhe ka banuar, nga motive ende të panjohura deri tani ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin Alber Krasniqi dhe si pasojë e plagëve të marra Alberi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.