75 Mall Live Search
00:00 / E Mërkurë, 03 Shkurt 2021 / C E

Shasivar Haxhijaj merr besimin e BE të KOK-ut, për t’iu vazhduar posti i sekretarit të përgjithshëm

Bordi Ekzekutiv (BE) i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), në mbledhjen e 57-të, ka vendosur që Shasivar Haxhijajt, t’ia vazhdojë mandatin për postin e sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut.

Sekretarit të përgjithshëm, Haxhijaj, i skadonte mandati më 1 shkurt 2021, andaj për t’iu besuar ky post edhe në vazhdim, duhej marrë miratimin e BE-së.

Siç e parasheh statuti i KOK-ut, me propozim të presidentit Besim Hasani, Haxhijaj, kishte marrë besimin e Bordit Ekzekutiv për t’u emëruar në këtë pozitë më 1 shkurt 2017. Paraprakisht ai ishte emëruar nënpresident, pas votave të marra në Asamblenë Zgjedhore për ciklin olimpike 2017-2020.

“Ky besim i tyre më bëri të ndjehem vërtetë i nderuar e i vlerësuar për punën time, mirëpo ky besim më bën të ndihem edhe më përgjegjës, më obligon që unë të punoj edhe më shumë në të mirë të zhvillimit, rritjes dhe fuqizimit të rolit të KOK-ut dhe gjithë Lëvizjes Olimpike të Kosovës. Andaj, dua të ju them të gjithëve një FALEMINDERIT të madhe për besimin e dhënë”, ka shkruar mes tjerash sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, në profilin e tij në Facebook, duke përmbledhur edhe sukseset në mandatin e tij të kaluar, përfshirë mbështetjet për sportistët, si dhe nëntë medaljet e fituara në garat ndërkombëtare, prej tyre pesë të arta, dy të argjendta dhe dy të bronzta.

Krahas Haxhijajt, Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, ia vazhdoi edhe Endrit Sylës, pozitën e arkëtarit, ashtu siç e parasheh statuti. Edhe arkëtarit Syla, i skadonte mandati më 1 shkurt 2021.