75 Mall Live Search
13:48 / E Mërkurë, 03 Shkurt 2021 / OSH

Nisma hap zyrtarisht fushatën elektorale, Limaj: Ne jemi brigada 121

Nisma Socialdemokrate zyrtarisht ka bërë hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, në fjalën e tij hyrëse uroi hapjen e fushatës zyrtare të zgjedhjeve të 14-shkurtit, duke thënë se kjo fushatë po nis me zërin dhe frymën e çlirimtarëve.

“Ne jemi krenarë për të kaluarën tonë dhe jam i bindur që fëmijët tanë do jenë krenarë me neve dhe kjo krenari brez pas brezi nuk do shuhet kurrë”, tha Limaj. “Ne jemi siguria, garancia dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat tona jetësore, kokëlartë për vendin ku jetojmë dhe nuk do lejojmë që t’i ulim kokën këtij vendi”, shtoi ai.

“Ne luftojmë dhe fitojmë”, tha Limaj gjatë fjalimit të tij.

Ai theksoi që traumat dhe krimet e bëra nga Serbia ende kujtohen me dhimbje.

“Kemi parë bashkëluftëtarët tanë të keqtrajtuar, gra të dhunuara, por kemi parë luftëtarë që mbrojnë vendin”, thekson tutje Limaj.

Midis brohoritjeve të simpatizantëve dhe kandidatëve për deputetë, Limaj tha se partia e tij është simbol i shpresës, lirisë dhe fitores, kjo është brigada 121.

Sekretari i kësaj partie Bilall Sherifi, tha që në kuadër të partisë së tyre do të ofrojnë qeverisje të mirëfilltë dhe të duhur.

“Për ne Kosova dhe qytetarët e saj gjithmonë vijnë në rend të parë”, tha Sherifi.

Sherifi tha se në plan të parë do jetë rimëkëmbja dhe shumë sektorë të tjerë që janë të përfshira në programin e partisë Nisma.