Në burg për vrasjen e komisarit të policisë, Arben Frroku kërkesë Gjykatës së Posaçme

Arben Frroku, i akuzuari për vrasjen e komisarit të policisë, Dritan Lamaj, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme, që t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit që ka qëndruar në Greqi, kur u kap nga policia në vitin 2013.
Burimet bëjnë me dije, se kërkesa po shqyrtohet nga gjyqtari Klodian Kurushi.
Frroku u dënua nga ish-Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm, por ky dënim u konvertua me 18 vjet burgim, në Holandë.
Arben Frroku akuzohet për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013. Më 29 qershor 2015, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e dënuar me burgim të përjetshëm Frrokun.
Në prill të të njëjtit vit, 5 gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, i dhanë pafajësi Arben Frrokut, duke e cilësuar dëshminë e të mbrojturit të drejtësisë si të manipuluar.
Në qershor të vitit 2015, dy ditë para vendimit të Apelit, Arben Frroku u arratis nga Shqipëria nëpërmjet kufirit me Malin e Zi, raporton noa.
Ai fillimisht u ndalua nga policia malaziase në kufi me Kroacinë për arsye verifikimi dhe më pas është lënë i lirë.
Deri më 6 mars të vitit 2016, Frroku qëndroi i fshehur në Holandë, vend në të cilin u arrestua me një pasaportë greke të falsifikuar me identitetin e Renato Tsepa.
Autoritetet gjyqësore të këtij vendi, refuzuan kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri.