75 Mall Live Search
14:22 / E Premte, 05 Shkurt 2021 / Blerim

Këshilli Prokurorial i reagon Kurtit: Kryeprokurorin e caktojmë ne

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka reaguar kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas deklaratave të tij lidhur me kryeprokurorin e shtetit, duke aluduar në shkarkimin e tij nga organet kompetente.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, KPK-ja i ka bërë thirrje Kurtit dhe kandidatëve të tjerë që të jenë të përmbajtur në deklaratat e tyre dhe të mos përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe prokurorit të shtetit.

KPK-ja ua ka kujtuar kandidatëve se kryeprokurori zgjidhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial.

“Më këtë rast, theksojmë se sistemi prokurorial me mbështetje të fuqishme edhe të partnerëve ndërkombëtarë është duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm në fuqizim të llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, si edhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Kurti mbrëmë ka thënë se në sistemin e drejtësisë, do të shkojë kryeprokurori i shteti, duke aluduar në shkarkimin e tij nga organet kompetente. Megjithatë, Kurti tha se nuk do të shkojë veç Lumezi, por edhe shumë të tjerë.

Ai gjithashtu komentoi shprehjen e tij që përdori në zgjedhjet e kaluara “Le të shkojë Lumezi, le të vijë Elezi”.

Kurti ka pasur fjalën për ish-prokurorin Elez Blakaj.

“Ne nuk jemi në qeveri edhe ne ishim 50 ditë në kohë të pandemisë. Tashti po vijmë për 4 plus 4 vjet. Dhe jo veç Lumezi, por kanë me shku plot. Dhe s’ka me u kthy veç Elezi, por kanë me u kthy plot të tjerë”, ishte shprehur Kurti në RTV Dukagjin.

Ai tha se me Qeverinë e tij, nëse bëhet, do të ketë shumë më shumë punë për Prokurorinë e shtetit.

“Me ne do të ketë shumë më shumë punë për prokurorinë, ju e dini që janë afër 200 prokurorë në Kosovë dhe ata o do të ribëhen siç e kanë emrin, pra të aktivizohen ose nuk mendoj se do t’i mbijetojnë trysnisë shoqërore, qytetare e institucionale”, ka thënë Kurti.

“Pra, një pjesë e madhe e punëve nuk janë për Qeverinë, janë bërë shkelje të ligjeve dhe krime. Këto krime ekonomike janë punë për Prokurorinë dhe gjyqësorin”, shtoi Kurti.