Njoftim i rëndësishëm për votuesit nga diaspora

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, më 22 janar 2021 ka njoftuar votuesit jashtë Kosovës me të drejtë vote të cilët kanë aplikuar për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës që do të mbahen më 14 shkurt 2021, e që aplikacionet e tyre janë refuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të parashtrojnë ankesat-apelet në PZAP, vetëm ne mënyrë fizike përmes postes me dërgesa rekomande, ashtu siç parashihet me dispozitat e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme të Republikës së Kosovës, dhe rregullat dhe procedurat e PZAP-së, dhe ashtu siç është vepruar gjithnjë deri në zgjedhjet e fundit 2019, e jo në mënyrë elektronike.
Mirëpo, PZAP-ja duke u nisur nga vullneti i mirë dhe duke vlerësuar vështirësitë e votuesve jashtë Kosovës për dërgimin e ankesave-apeleve përmes postes si rrjedhojë e çrregullimit të komunikacionit ajror ndërkombëtar për shkak të pandemisë Covid – 19 dhe afatit shumë të shkurtë për aplikim dhe paraqitje të ankesës/apelit, si dhe për t’u ikur keqkuptimeve të mundshme dhe për t’ua bërë të mundur votimin këtyre votuesve që është një e drejtë e tyre elementare dhe e garantuar me ligj dhe me Kushtetutë, PZAP-ja i ka vendosur që t’i trajtojë të gjitha apelet e rregullta të tyre të dërguara përmes e-mailit në adresën e PZAP-së, në mënyrë që këta qytetarë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës që do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Njoftojmë votuesit jashtë Kosovës se, pas marrjes së vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nr. 419-2021 i 02 shkurtit 2021, për përfshirjen e votuesve të aprovuar në listën përfundimtare të votuesve jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më datën 14 shkurt 2021, në email adresën e PZAP-së më 3 dhe 4 shkurt 2021 kanë arritur 1116 e-maila të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës dhe 1 (një) apel ka arritur përmes postes më 5 shkurt 2021.
Kundër vendimit të KQZ-së të theksuar me lartë brenda afatit prej 24-orëve prej momentit të bërjes publike të këtij vendimi në ora 18:00 të 2 shkurtit 2021 e deri në orën 18:00 të 3 shkurtit 2021, votuesit jashtë Kosovës kanë dërguar 931 e-maila, prej tyre në 281 e-maila kanë qenë të bashkëngjitur formularë të ankesave-apeleve dhe shkresa të tjera të lëndës të cilat PZAP-jai ka konsideruar si të afatshme dhe ligjërisht të rregullta për procesim dhe shqyrtim, ndërsa e-mailat e tjerë nuk kanë pas të bashkëngjitur formularë të ankesave-apeleve si edhe shkresa të tjera të lëndës për ta argumentuar qëllimin e ankesës, më saktë këto e-maila nuk kanë përmbushur elementet e ankesës-apelit, ato me tepër kanë qenë sqarim dhe komunikim rreth aplikimeve të tyre në KQZ për mospërfshirjen e tyre në listën e votuesve jashtë Kosovës, kështu që të njëjtat pasi që nuk kanë pas formë dhe përmbajtje të ankesës-apelit, as nuk janë shqyrtuar si të tilla.
PZAP-ja, nga 281 apele të paraqitura nga apeluesit përmes e-mailit, 144 apele i ka pranuar si të bazuara dhe ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në që këta votues t’i përfshijë në listën e votuesve jashtë Kosovës për të votuar, ndërsa 124 apele i ka refuzuar si të pabazuara pasi që parashtruesit e apelit nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se ata në kuptim të nenit 5.1 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme-lokale (LZP), i plotësojnë kushtet për t’u regjistruar në listën e votuesve jashtë Kosovës dhe 13 apele i ka hedhur si të parregullta.
Apel i dërguar përmes postes nga një votuesi jashtë Kosovës është miratuar i bazuar dhe është urdhëruar KQZ-ja që votuesin ta përfshijë në listën e votuesve jashtë Kosovës.
Pas afatit prej 24-orësh janë dërguar nga votuesit jashtë Kosovës dhe kanë arritur në PZAP 185 e-maila-apele, të cilat si të pas afatshme janë hedhur poshtë.