75 Mall Live Search
14:13 / E Diele, 07 Shkurt 2021 / OSH

Ramë Likaj, kandidati me CV të bujshme, nga projektet ndërkombëtare, si ministër i Arsimit

Ramë Likaj është një nga kandidatët me CV më të kompletuar nga lista e kandidatëve të AAK-së. Ministri në detyrë i Arsimit ka përvojë edhe ndërkombëtare, para se të merrte si detyrë udhëheqjen e arsimit në vend.

Likaj u lind më 24 mars 1971, në Deçan, aty ku kreu shkollimin e fillor dhe të mesëm. Ai ndoqi studimet universitare në tri shkallë, si:  studimet themelore, magjistraturën dhe doktoraturën në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Për sukses të dalluar në studime ka fituar bursën “student i dalluar”.

Likaj, në Universitetin e Prishtinës punon për 26 vjet radhazi, konkretisht në Departamentin e Mekatronikës të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.  Ai, po ashtu ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore dhe projekte ndërkombëtare, ndërsa ka të publikuara si autor dhe ko-autor dhjetëra punime shkencore dhe tekste universitare, e dispensa.  Gjithashtu ka të publikuara dhjetëra hulumtime e raporte në fushën e arsimit.

Gjatë karrierës së tij akademike ka kryer disa specializime në fushën profesionale dhe të mësimdhënies, si në Gjermani, Itali, Austri, Kroaci, Slloveni etj., dhe ka marrë pjesë dhe përfaqësuar Kosovën në shumë konferenca  e punëtori ndërkombëtare.

Që nga viti 1999. Likaj  ka punuar në projekte ndërkombëtare në Kosovë dhe regjionin e Ballkanit, që lidhen me fushën e arsimit dhe aftësimit profesional për organizatat siç janë: Komisioni Evropian, European Training Foundation, GIZ, LuxDevelopment, KfË, ËUS Austria, Kulturkontakt etj.

Duke qenë i provuar në fushën profesionale, dhe njeri me integritet të lartë, Likaj, gjatë karrierës së tij  akademike ka kryer edhe këto detyra, si: Kryetar i Bordit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, 2015-2016, Kryetar i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional, 2015, Koordinator i Republikës së Kosovës për vlerësimin PISA 2016, Koordinator i Kosovës për Procesin e Torinos, 2015-2016, Koordinator i MASHT-it për vlerësimin e Planit Strategjik të Arsimit 2011-2016, Koordinator i MASHT-it për Zhvillimin e Planit Strategjik të Arsimit 2017-2021, anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, anëtar i rrjetit të Evropës Juglindore për trajnimin e arsimtarëve dhe trajnerëve të arsimit dhe aftësimit profesional, që nga viti 2003, Torino, Itali, pjesë e grupit punues për hartimin e planit Zhvillimor Qeveritar 2017-2021.

Përveç këtyre, Likaj, duke qenë ekspert i arsimit,  ishte edhe pjesë e Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional për dy mandate, MASHT 2006-2017, anëtar dhe Kryesues i Paneleve të ekspertëve për Validim të Kualifikimeve dhe Akreditim të Institucioneve, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, Këshilltar i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë 2015-2017, Këshilltar për Arsim i Kryeministrit të Kosovës Z.Ramush Haradinaj, 2018-2019 etj. Ramë Likaj u emërua në Qeverinë Hoti ministër i Arsimit duke drejtuar këtë sektor në kohën e vështirë të pandemisë. Pavarësisht këtij fakti, Likaj ia doli që të ketë sukses në menaxhimin e situatës duke mbajtur arsimin në kontroll.