Hoti zbulon një kërkesë të Kurtit: Ministrat të angazhohen për të mbledhur fakte për Prokurori

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar për herë të parë një tjetër arsye që sipas tij solli në prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen. Ai tha se prishja e Qeverisë kishte të bënte më një kërkesë të LVV-së, që Hoti thotë se nuk ishte e arsyeshme.
Hoti ka thënë se ‘mollë sherri’ mes tyre, u bë kërkesa që ministrat të angazhohen në mbledhjen e fakteve për të dërguar në Prokurori.
“Dhe një moment që duhet ta them ndoshta nuk e kam thënë asnjëherë publikisht, në tryezën që kemi pasur si kabinet qeveritar në Prevallë, në përgatitje të planit të punës, e kishim programin qeverisës, do ta finalizonim atë, dhe punonim që të vendosnim objektivat kryesore në 100 ditët e para të qeverisjes. Në fund të takimit ishte kërkesa e tyre që të angazhohen ministrat për të mbledhur fakte për Prokurori. Për të dërguar çështjen në Prokurori. Njëra nga detyrat që iu kërku ministrave në fund të takimit ishte të mblidhen fakte për të dërguar në Prokurori”, ka thënë ai “N’Konak”.
Hoti ka deklaruar se LDK dhe LVV nuk janë pajtuar edhe në pika të tjera qeverisëse.