Xhavit Haliti, merr përkrahje nga banorët e lagjes Xhemajl Kada në Pejë

Xhavit Haliti, kryetar i degës së PDK-së në Pejë, bashkë me kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës, Ramiz Kelmendi, Skender Ukaj, Valon Grabovci, Arta Vokshi – Nallbani dhe Albina Lleshi kanë mbajtur të dielën takim me banorët e lagjes “Xhemajl Kada”, në kuadër të fushatës zgjedhore.
Banorët e lagjes “Xhemajl Kada” gjithmonë kanë qenë të rreshtuar drejt, sa i takon animit politik, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Haliti.
Ai ka shtuar se në këtë lagje të madhe të Pejës, në mesin këtyre njerëzve ndihet mjaft mirë për shkak se ka shumë miq dhe njerëz që i bashkon bindja dhe ideali i njëjtë politik.
Sa i përket Programit të rimëkëmbjes së Kosovës, projekt ky të cilin do ta zbatojë PDK-ja në Qeverinë e re, Haliti ka thënë se do të prekë çdo kategori e secilën fushë, duke u nisur nga rritja e pensioneve e skemës sociale, për të vazhduar në pagat në arsim, shëndetësi e polici, rritje të mbështetjes së bizneseve të reja, duke subvencionuar star up-et për të vazhduar në avancimin e politikave të tjera zhvillimiore deri të raportet ndërkombëtare, ku lidërshipi i PDK-së ka dëshmuar që di më së miri ta bëjë.
Në fjalën e tyre, kandidatët e tjerë për deputetë nga rajoni i Pejës kanë shpalosur në formë bashkëbisedimi programin e rimëkëmbjës, për sektorë të ndryshëm. Për çka kanë gjetur përkrahje nga qytetarë e lagjes, ndër më të mëdhatë e Pejës.
Në këto zgjedhje në garën për deputetë nga Peja janë, Skender Ukaj me numër 47, Ramiz Kelmendi me numër 16, Valon Grabovci me numër 49, Vokshi-Nallbani me numër 66 dhe Albina Lleshi me numër 42. Ndërsa, Xhavit Haliti si kryetar i degës mban numrin 7.


