75 Mall Live Search
13:52 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / Blerim

Hoti: Me LDK-në, në krye Kosova nënshkroi dy marrëveshjet më të rëndësishme në historinë e saj

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të hënën në Podujevë, se me LDK-në në krye të Qeverisë, Kosova ka nënshkruar dy marrëveshjet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë, marrëveshjen për MSA-në me BE-në dhe marrëveshjen me DFC-në amerikane.

“Ka qenë nderi i jetës sime që në Uashington e kemi nënshkruar marrëveshjen më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. LDK-ja ka qenë në krye të Qeverisë kur është nënshkruar MSA-ja. Kjo ndodh sepse partnerët tanë na besojnë dhe e dinë se ne punojmë për të ruajtur kursin perëndimor të Kosovës”, tha Hoti.

Ai vlerësoi se oponentët e tij politikë nuk kanë kurrfarë vizioni për të ardhmen e Kosovës.

“Oponentë tanë në këtë garë, nuk janë të gatshëm për ballafaqim, nuk prezantojnë program as nuk janë të gatshëm për ballafaqim dhe me i lanë qytetarët të vendosin lirshëm. Njeri flet me megafon rrugës si në kohën e komunizmit, e tjetri lëshon fjalë të pamenduara dhe kur pyetet si bëhet kjo, thotë nuk e di, por kështu me kanë thënë të them nëpër tubime”, tha kandidati i LDK-së.

Sipas Hotit, vetëm LDK-ja është parti që garon me program të qartë për 4 vjetët e ardhshëm, andaj u bëri thirrje llapjanëve që më 14 shkurt të votojnë LDK-në në numrin 132.

“Shteti nuk është ndërtuar për një ditë. Por me veprime vizionare hap pas hapi dhe LDK-ja ka qenë në çdo proces të ndërtimit të shtetit. Por shteti mund të rrënohen për një ditë nëse preken themelet e tij. E synimet e këtyre oponentëve të majtë janë të tilla, prandaj ne nuk duhet t’i lejojmë”, tha Hoti.

Zyra për informim e LDK-së./Indeksonline