75 Mall Live Search
15:04 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / Blerim

Haradinaj nga Klina: Si president i kryj punët pa e pyet Serbinë, si për ushtrinë e Trepçën dikur

Kandidati i AAK-së për president, Ramush Haradinaj, po vazhdon të jetë i vetmi që po flet hapur dhe në fushatë për dialogun me Serbinë.

Haradinaj në tubimin zgjedhor në Klinë, theksoi se nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu siç jemi në pritje, por duhet të definohet çështja përfundimisht me Serbinë dhe në raport me ndërkombëtarët.

“Na kemi thënë “Bac u kry!” për çdo vit, por kur po e analizojmë mirë po del që s’u kry hala. Edhe na një ditë duhet me qenë në gjendje me thonë u kry, bac, se nuk mundemi përjetë me nejtë pa definu statusin tonë ndërkombëtar, përjetë të pa marrun vesh me Serbinë, përjetë dyqysh si në pritje. Pra jemi në atë finalen, nëse dojmë “Bac, u kry”. Kjo finale është me Serbinë, se Serbia po na bllokon”, ka thënë
Haradinaj.

Sipas tij, ai do ia lehtësojë punët edhe Serbisë, sepse do i bëjë disa gjëra për Kosovën pa e pyetur Serbinë.

“Unë kam një përvojë me u ballafaqu me Serbinë dhe me ua thënë të drejtën ua lehtësoj edhe atyre, se i kryj do punë pa i pyet, e atëherë ata e kanë më lehtë”, ka shtuar ai.

“Me i pas pyet për ushtri i kishim qitë në telashe, me i pas pyet për “Trepçën” i kishim qit në telashe, me i pas pyet për pavarësim energjetik i kishim qit në telashe, na ua kemi lehtësu, i kemi kryer punët tona. O ka lypet edhe njëherë me ardhë qajo frymë me e udhëheq vendin, ajo frymë është edhe çlirimtare, por edhe vizion. E ai vizion na ka ndihmu ne që një ditë me konë aleatë me NATO-n”, përfundoi Haradinaj.