75 Mall Live Search
17:07 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / Blerim

E therën me thikë në qafë një person të premten në Drenas, Policia sot arreston të dyshuarit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, pasi të premten pas një rrahje mes vete,  kanë therur në qafë dhe në pjesë të kokës një person, duke i shkaktuar plagë të rënda.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, respektivisht njësiti për Hetime të Përgjithshme, sot ka arrestuar dy persona të dyshuar për rastin tentim vrasje që ka ndodhë javën e kaluar në Drenas”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se në këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, -H. Sh, mashkull, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe -A.B, mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

“Pas intervistimit,  me aktvendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes”, ka thënë Ahmeti.

Kujtojmë se me datën 05.02.2021, rreth orës 13:00, ka pasur një rrahje në progres në afërsi të stacionit të autobusëve në  Drenas.

“Me të marrë informatën njësitet e stacionit policor kanë dalë në vendin  e ngjarjes dhe po merren me rastin. Bazuar në  informacionet e para dyshohet se një person mashkull 19 vjeç, ka marrë plagë nga një mjet i mprehtë dhe i njëjti është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, pati konfirmuar Policia e Kosovës.