75 Mall Live Search
08:31 / E Mërkurë, 10 Shkurt 2021 / OSH

Mblidhet Qeveria, alokohen 579 mijë e 345 euro për protezat e invalidëve të luftës

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje është marrë vendimi për alokimin e 579 mijë e 345 eurove për protezat e invalidëve të luftës së UÇK-së.

Detaje për këtë ka dhënë Kryeministria përmes një njoftimi për media.

Njoftimi i plotë:

Me kërkesë të kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhje korresponduese-elektronike, e 62-ta me radhë, në të cilën është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për nevojat emergjente për protezat e invalidëve të luftës së UÇK-së.

Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës është aprovuar kërkesa e Shoqatës se Invalidëve të Luftës së UÇK-së për ndarjen e mjeteve financiare në vlerën prej pesëqind e shtatëdhjetë e nëntëmijë e treqind e dyzet e pesë euro (579.345.00 €) për heqjen e shpenzimeve për nevojat emergjente për protezat e Invalidëve të luftës së UÇK-së.

Këto mjete do të shfrytëzohen vetëm për qëllimet e specifikuara me kërkesën Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe shfrytëzimi i tyre do të monitorohet nga komisioni në këtë përbërje:

  1. Përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – kryesues;
  2. Përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë – anëtar;
  3. Drejtori i Zyrës për ëështjeve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së – anëtar;
  4. Përfaqësues nga Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së – anëtar.

Komisioni do të monitorojë shpenzimin e mjeteve të dhëna dhe do të përgatisë raportin e detajuar për Qeverinë. Vendimi obligon për zbatim Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së. Gjithashtu vendimi rekomandon që institucionet të ofrojnë zgjidhje të përhershme për invalidët e luftës së UÇK-së në pajtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të 03.02.2021.